Në Sellcë të Tetovës u përkujtua 20 vjetori i konfliktit të vitit 2001
Me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Kalanë e Sellcës....

Me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Kalanë e Sellcës, është kujtuar sot 20 vjetori i luftës së 2001. Ish komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, Hazbi Lika, tha se luftën nuk e bëmë për të pasur dikush sot kapadaillëk, por për të drejtat e shqiptarëve që sot i kemi, por duhet ende avancime dhe të drejta në këtë shtet.
“Ju e dini se luftën nuk e nisëm, për të shitur kapadaillëk dikujt, nuk e nisëm as për të shfryrë mllef ndaj dikujt, por luftën e nisëm duke hasur në pengesa të vazhdueshme, nga pala tjetër. 20 vjet pas jam i bindur se problemet që i kemi pasur para 20 viteve e nuk i kemi më, flas për problemet kombëtare, sot nuk mund kush të ndalojë përdorimin e simboleve kombëtare, nuk mund kush të ndalojë përdorimin nëpër institucionet e gjuhës shqipe dhe nuk mund kush të ndalojë të veprosh këtu në këto troje i lirë.”,- tha ish komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, Hazbi Lika.
Fazli Veliu nga Shoqatat e Veteranëve të Luftës tha se ende shqiptarët nuk kanë punësime të barabartë me maqedonasit edhe pas 20 vitesh.
“SHVL është e pavarur dhe vepron pavarësisht, pasi nuk e ka pranuar sistemin si sistem, të tillë, pasi është dashur të avancohet çështja kombëtare, të vijë 2 me 1 edhe punësimi, shkollimi edhe përfaqësimi dy shqiptarë dhe 1 maqedonas. Dy shqiptarë në punë, në shkollë, në përfaqësimin e përgjithshëm në mënyrë që të jemi të barabartë në këtë shtet, ndërsa ata të ndalohen pak pasi kanë pasur përparësi nga koha e Titos, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh ende.”,- tha Fazli Veliu nga SHVL-UÇK.
Manifestimi “Pranvera e Dinjitetit” për dy vite nuk u organizua shkaku i pandemisë Covid-19. (Visar Sadiki, TVM2)
