Maqedoni

Tendencat për bllokim të Kuvendit, Osmani: Lojrat në parlament s’ndihmojnë askënd

15.03.2021 16:00

Taktikat politike të grupeve parlamentare për të bllokuar nismat ligjore të njëra tjetrës....

Taktikat politike të grupeve parlamentare për të bllokuar nismat ligjore të njëra tjetrës frenojnë jo vetëm punën e institucionit ligjvënës por edhe ekzekutivin dhe instirticionet e tjera. Ministri i jashtëm Bujar Osmani thotë se një gjë e tillë më së paku duhet të ndodh në periudhë pandemie, kur institucionet duhet të përballen me çështje me interes vital për qytetarët.    
 
“Lojrat politike nuk janë në interes në kohë të pandemisë. Parlamenti është institucioni, i cili kanalizon zërin e qytetarëve. Bllokimi i institucioneve, bllokimi i parlamentit nënkupton bllokimin e zërit të qytetarëve në menaxhimin me proceset politike në vend. Andaj, në kushte kur të gjitha institucionet duhet të jenë të angazhuara për të lehtësuar jetën e qytetarëve në këto vështirësi të krijuara nga pandemia, lojrat politike në Parlament nuk do t’i ndihmojnë as ata që i bëjnë dhe më së paku qytetarët.”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
 
Reagimi vjen pas vendimit të opozitës shqiptare për të bllokuar të gjitha projektligjet që dorëzohen në Kuvend si masë e ndërsjellë për bllokimin që shumica parlamentare dhe opozita maqedonase i ka bërë projektligjit për shtetësi.
 
AS-AAA: Lojërat politike i bën Qeveria Juaj
 
Mirëpo, Deklaratës së Osmanit për bllokimin e Kuvendit nga ana e opozitës iu përgjigj koalicioni ASh-Alternativa. Sipas tyre Qeveria mundohet në vazhdimësi t’i mbyll gojën opozitës shqiptare madje edhe për çështjen e shtetësisë.
 
“Lojërat politike i bën Qeveria Juaj, e cila mundohet në çdo mënyrë të trafikoj deputet të opozitës, sepse nuk është në gjendje të ekzistojë më këtë shumicë parlamentare. Ne kemi dëshmuar konstruktivitetin tonë kur është fjala për ligjet për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, por atëherë kur ju tregoheni arrogantë ndaj kërkesave tona legjitime dhe te natyrshme, atëherë e kemi patjetër tu demaskojmë nga fuqia juaj politike, e cila e përbëhet nga  një shumicë parlamentare që nuk ri dot në këmbët e veta.”- thuhet në kumtesën e ASH-së dje Alternativës.
 
Kuvendi, edhe ashtu funksionon me vështirësi për shkak të shumicës së brishtë dhe epidemisë dhe jo rrallë herë nuk mund të hapen séanca të reja për shkak të mungesës së kuorumit ndërsa ligjet presin për miratim edhe kur ezaurohet diskutimi në plenum.
 
Seanca e re e radhës është paralajmëruar për më 23 mars.
 
SHPËTIM NUREDINI