Botë

Vendet e mëdha evropiane pezullojnë përdorimin e AstraZeneca-s

15.03.2021 22:03

Gjermania, Franca dhe Italia ndaluan shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pas disa incidenteve me mpiksje gjaku...

Ato iu bashkuan disa vendeve më të vogla evropiane, që po ashtu ndaluan imunizimin me këtë vaksinë.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë, megjithatë, tha se nuk ka ka prova që sugjerojnë se incidentet me mpiksje gjaku janë shkaktuar nga vaksina.
 
Ajo tha se është duke i analizuar raportet për probleme, por shtoi se është e rëndësishme që vaksinimi të vazhdojë.
 
Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë tha të hënën se do të ndalojë administrimin e vaksinës AstraZeneca, pas rekomandimit të Institutit Paul Ehrlich (PEI) - autoritetit gjerman për vaksinat.
 
“Pas raporteve të reja për tromboza të venave cerebrale, PEI konsideron se janë të nevojshme hulumtime të mëtejshme”, tha Ministria gjermane e Shëndetësisë.
 
Menjëherë pas, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij e pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca, derisa të jepen këshilla të reja nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të martën pasdite.
 
Italia po ashtu zgjati ndalesën mbi AstraZeneca-n, deri në vendimin e EMA-s.
 
Më herët, përdorimin e kësaj vaksine e pezulluan edhe Holanda, Republika Irlandeze, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda e vende të tjera.
 
Rreth 17 milionë njerëz në Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar e kanë marrë tashmë vaksinën AstraZeneca.
 
Kompania AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, tha se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar.
 
AstraZeneca ka thënë më herët se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike./evropaelire