Maqedoni

20 vjet nga nisja e konfliktit të armatosur

16.03.2021 10:27

20 vjet më parë, më 16 mars 2001, në Maqedoni filloi konflikti i armatosur...

20 vjet më parë, më 16 mars 2001, në Maqedoni filloi konflikti i armatosur, që si pikënisje kishte të drejtat e mohuara të shqiptarëve në republikën e re të formuar pas ndarje së ish Jugosllavisë. 
 
Shqiptarët fillimisht përmes aktit më të lartë të shtetit,  në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974. Edhe pse kushtetuta e vitit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, rrjedha diskriminuese shumëdimensionale, vazhdoi . Papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, kishin marrë përmasa të mëdha. Të gjitha këto sollën krijimin e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, krismat e para të së cilës ishin ndjerë që në muajt e parë në viti 2001, fillimisht në Tanushë e më pas edhe në Malësinë e Tetovës. 
 
Lufta pasoi me shumë viktima nga të dyja palët, u shkatërruan shumë fshatra dhe prona të shqiptarëve, si dhe objekte fetare përfshirë xhami dhe manastire,  u vranë rreth 221 persona, nga të cilët 86 luftëtarë të UÇK-së, 60 civilë shqiptarë dhe 75 ushtarë dhe policë maqedonas.Lufta  e UCK-së,  sensibilizoi edhe  faktorin ndërkombëtare që përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike, arritën të ulin palët  në tavolinën e bisedimeve në Ohër . Dokumenti kornizë u nënshkrua më 13 gusht 2001 në Shkup nga presidenti i atëhershëm, Boris Trajkovski si dhe liderët e partive kryesore politike: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri, në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë François Leotard dhe James Perdiue. Si pjesë e realizimit të marrëveshjes së Ohrit , palët ranë dakord për formimin e Sekretariatit për Zbatimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit në kuadër të qeverisë, dikaster i cili para tri vjetësh u shua, duke kaluar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.