Maqedoni
VMRO me interpelancë kundër ministrit Filipçe, Pecakov: Fillipçes i intereson mbushja e xhepave
16.03.2021 15:50
Grupi parlamentarë i VMRO-DPMNE-së ka paralajmëruar interpelancë kundër ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe...

Grupi parlamentarë i VMRO-DPMNE-së ka paralajmëruar interpelancë kundër ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe. Keqmenaxhimi i pandemisë është arsyeja për të cilën do të kërkojnë votëbesimin ndaj tij në kuvend thonë nga VMRO-DPMNE. E këtë votëbesim do ta mbështesë edhe koalicioni ASh-AAA tha koordinatori i këtij grupi parlamentarë Skender Rexhepi.
“Filipçe është më përgjegjësi për menaxhimin katastrofal për korona-krizën , për shkak të mos ndjekjes së klasterëve, mungesës së barnave, krevateve në spitale, respiratorëve, protokolleve për shërim dhe qarkullim të pacientëve, masave jo në kohë dhe joadekuate. Ka imponuar orë policore ndërsa në autobusët e përmbushur ka grupe me koronë e që tregon se nuk ka koncept. Gjatë mandatit të tij Venko Filipe ka lënë gjurmë me dy gjëra, studimet e e fizbilitetit dhe tenderët për shitjen e shëndetësisë publike me qëllim të caktuar për të mbushur xhepat dhe marrjen e provizioneve.”,- deklaroi Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE.
“Përkrahim interpelancën për ministrin e shëndetësisë për faktin që ka qenë jo profesional në trajtimin e pandemisë posaçërisht me faktin që ne si vend jemi radhitur në shtetet me vdekshmëri më ta lartë në Evropë si rezultat i pandemisë që do të thotë joprofesional në raport me pandeminë dhe jo profesional në raport me sigurimin e vaksinave me çka na shtohen masa shtesë e rëndojnë edhe ashtu ekonominë dhe gjendjen sociale të qytetarëve dhe ky joprofesionalizëm duhet të dënohet me joprofesionalizëm ndaj tyre.”,- theksoi Skender Rexhepi.
LSDM: VMRO destruktive, pengon interesin e qytetarëve
Por nga LSDM janë kundërpërgjigjur duke akuzur kështu VMRO-DPMNE-në për sjellje destruktive dhe bllokim të proceseve të rëndësishme e që janë në interes qytetarëve.
“Ajo që vërtet ju pengon dhe që është reale, është besimi i lartë që gëzon ministri Filipçe dhe i gjithë personeli shëndetësorë të cilët dëshmuan se si duhet të menaxhohet pandemia. Mickovski dhe VMRO-DPMNE janë të mundur nga qytetarët,nga drejtësia dhe institucionet. Pavarësisht nga sjellja e tyre destruktive dhe antipopullore reformat dhe përparimi i shtetit do të vazhdojë. Edhe kjo interpelancë ashtu si të tjerat nuk do të ketë sukses dhe do të shënohet si një dështim i radhës nga partia e udhëhequr nga humbësi Hristijan Mickovski.”,- tha Nenad Kociq nga LSDM.
Sipas LSDM-së partia e cila është sinonim për korrupsion të lartë VMRO-DPMNE e cila gjatë periudhës 2006-2016 kishte në disponim dhe shpenzoi më shumë se 30 miliardë euro para të qytetarëve nuk ka kredibilitet të akuzojë për provizione.
NAIM RAMADANI
