Maqedoni
Zjarr në një ndërtesë në Gostivar, një person ka humbur jetën dhe një është lënduar
16.03.2021 16:01
Një i vdekur dhe një i lënduar është bilanci nga zjarrit i cili shpërtheu sot në mëngjes...

Një i vdekur dhe një i lënduar është bilanci nga zjarrit i cili shpërtheu sot në mëngjes, në një objekt kolektiv banesor në Gostivar. Nga dendësia e tymit jetën e ka humbur një fëmijë i mitur, ndërsa me lëndime në spital ka përfunduar një grua e moshës 35 vjeçare të cilës i është ofruar asistenca mjekësore.
Sipas dëshmitarëve okular dhe banorëve, zjarri ka shpërthyer herët në mëngjes, dikur rreth orës 8, prej ku është paraqitur tym dhe banorët e ndërtesës në rrugën "Kej Vardar" i kanë lëshuar banesat e tyre. Zjarrfikësi i ndërrimit, Izet Izeti, deklaroi se menjëherë pas denoncimit për zjarr, në terren kanë dalë me dy automjete dhe për gjysmë ore e kanë lokalizuar zjarrin.
Vdekjen e fëmijës 8 vjeçar e ka vërtetuar edhe mjekja Biljana Korunovska – Mergjanoski, sipas të cilës në orën 8:30, në Njësinë Urgjente pranë spitalit të Gostivarit u soll trupi i një fëmije i gjinisë mashkullore, pa shenja jete, me djegie në të gjithë trupin dhe kokën.
Ekipi mjekësor iu qas reanimimin, por pa sukses. Të dhënat e para flasin se zjarri ka rënë në një dhomë të banesës në katin e tretë ku kanë qëndruar një familje me më tepër anëtarë. Prokuroria Publike njofton se ekipe nga ky institucion tashmë po kryejnë hetime në banesën që u përfshi sot nga flakët. Priten hetimet nga ekipet speciale në departamentin për krim-teknikë pranë MPB-së.
“Gjetjet fillestare të ekipit mjekësor në vendin e ngjarjes tregojnë se fëmija ishte i lidhur me zinxhirë në këmbë gjatë kohës së zjarrit. Sipas familjes, arsyeja e lidhjes ishte se fëmija ishte agresiv. Prokuroria po ndërmerr të gjitha veprimet për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale”,- thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
LULZIM KAMBERI
