Maqedoni
Kovid-19, 999 të infektuar, 24 të vdekur e 543 të shëruar. 1082 persona të hospitalizuar
16.03.2021 16:23
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë testuar 3.626 persona për Kovid-19...

Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë testuar 3.626 persona për Kovid-19, nga të cilët 999 kanë rezultuar pozitiv, 543 persona janë regjistruar si të shëruar ndërsa 24 kanë humbur betejën me virusin.
Po ashtu janë raportuar gjithsej 24 vdekje të moshës nga 46 deri në 80 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar gjithsej 113.929 të infektuar me Kovid 19 prej të cilëve 98.676 janë shëruar, derisa betejën me virusin e kanë humbur 3.364 persona, ndërsa ka edhe 11.889 raste aktive.
Në Kovid qendrat në mbarë vendin në trajtim spitalor ndodhen 1082 pacientë, 463 prej të cilëve në Shkup. Për shkak të numrit të madh të pacientëve, është hapur edhe Kovid Qendra në Klinikën e Traumatologjisë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ka edhe rreth 340 shtretër të lirë në të gjithë vendin.
Që nga shfaqja e rastit të parë të Covid-19 në Maqedoni një vit më parë, 116 persona janë ri-infektuar, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik.
Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar Komisioni për Sëmundje Infektive të mërkurën do të mbaj mbledhje në të cilën pritet të rishikohet situata epidemiologjike. Nuk përjashtohet mundësia që të propozohet karantinë e plotë për fundjavë, megjithëse këtë ende nuk e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë.
REJHANE BUSHI METAJ
