Maqedoni

Kumanovë, Mlladenovska: Të respektohen masat qeveritare

17.03.2021 13:59

Në rajonin e Kumanovës kryesisht po respektohet masa për lëvizje të kufizuar nga ora 22.00 deri në ora 05.00 të mëngjesit

Në rajonin e Kumanovës kryesisht po respektohet masa për lëvizje të kufizuar nga ora 22.00 deri në ora 05.00 të mëngjesit. Mirëpo ka edhe të atillë që për arsye të ndryshme vijnë në kundërshtim me këtë masë dhe të njejtën nuk e respektojnë. Nga fillimi i orës policore, në pesë ditët e para, janë regjistruar 18 qytetarë, të cilët nuk e kanë respektuar këtë masë, respektivisht orën policore. Vlen të theksohet se që nga fillimi i pandemisë dhe në periudhat e aplikimit të orës policore në rajonin verilindor, këtë masë nuk e kanë respektuar 256 qytetarë, nga të cilët 178 në Kumanovë, Likovë dhe Nagoriç, 49 në Kriva Pallankë dhe Rankovc si dhe 29 në Kratovë.
 
“Në rajonin e Kumanovës kemi disa punkte kontrolli në hyrje dalje të qytetit, me çrast kontrollohet çdo automjet, kryhen kontrolle se të njejtit a kanë leje për qarkullim. Dëshiroj ti informoj qytetarët se nëse kanë nevojë të domosdoshme për lëvizje, të paraqiten në numrin e telefonit 192 që të marrin leje për lëvizje  me qëllim që të mos vihen në pozitë që të përballen me denoncim për vepër penale.", tha Ivana Mlladenovska, zëdhënëse e SPB Kumanovë.
 
Edhe në rajonin e Kumanovës numri i të infektuarve dhe i viktimave po shënon rritje. Aktualisht në rajonin e Kumanovës gjithsej janë 418 raste aktive, andaj pritet që masat në fuqi të ndikojnë në uljen e numrit të të infektuarve.
 
FATLUM AQIFI