Botë

LDK, AAK e PDK kundër Vjosa Osmanit si presidente

18.03.2021 10:43

Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja në Kosovë....

Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja në Kosovë. Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit pritet të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë së re. Edhe Seanca për të votuar presidentin e ri të Kosovës, është paraparë të mbahet në javën kur votohet Qeveria. Por LDK, PDK e AAK, kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin. 
Ishte Ramush Haradinaj i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet VV-në, sepse në këtë mënyrë pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme.
 
Pas disa orë mbledhje, edhe në organin më të lartë të PDK-së është marrë vendim që ky subjekt të mos e votojë Osmanin për kryetare të shtetit. Osmani nuk do të marrë votë as nga ish partia e saj LDK për postin e parë të Kosovës e këtë e ka pohuar kreu i ri i partisë Lumir Abdixhiku.
 
Vjosa Osmani do të nominohet për presidente, sipas dakordimit me Kurtin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore.
 
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
 
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.