Botë
Itali, 18 marsi shpallet Dita e Kujtimit ndaj viktimave të Covid 19
18.03.2021 11:05
Më 18 mars të një viti më parë, pamjet disi të zbehura të radhës së kamionëve ushtarakë të mbushur me trupat e viktimave të covid në Bergamo...

Më 18 mars të një viti më parë, pamjet disi të zbehura të radhës së kamionëve ushtarakë të mbushur me trupat e viktimave të covid në Bergamo, i dhanë Italisë por edhe të gjithë opinionit publik ndërkombëtar dimensionin tragjik të Covid-19, një epidemie që do të shndërrohej shumë shpejt në pandemi, duke prekur më shumë se 120 milionë persona në botë, dhe shkaktuar pothuajse 3 milionë viktima.
Kjo datë specifike është zgjedhur zyrtarisht nga qeveria italiane si Dita e Kujtimit ndaj viktimave të virusit korona, një datë tragjike dhe e shënuar që nga sot e tutje hyn në kalendarin zyrtar të shtetit fqinj.
Në orën 11, kryeministri Mario Draghi pritet t’i bëj vizitë pikërisht varrezave të qytetit verior të Bergamos, epiqendra e një krize shëndetësore që i ka shkaktuar vendit më shumë se 100 mijë viktima, deri më tani.
