Botë

Ndalimi i vaksinës së AstraZeneca, ekspertët të shqetësuar, Europa në valën e tretë

18.03.2021 11:56

Pavarësisht se Italia ka hyrë në një izolim të pjesshëm, ende po raporton shifrat më të larta...

Pavarësisht se Italia ka hyrë në një izolim të pjesshëm, ende po raporton shifrat më të larta ditore që prej fundit të janarit. Franca përballet me valën e tretë, ndërsa pezullimi i përdorimit të vaksinës së zhvilluar nga universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca nuk ndihmon në luftën ndaj pandemisë koronavirus.
 
Situatë të vështirë po përjeton edhe Polonia, me rastet e reja që u rritën me 44% nga java e kaluar. Zyrtarët shëndetësorë janë të shqetësuar lidhur me shtimin e vendeve që pezullojnë vaksinimet me dozat e AstraZeneca mes raportimeve për mpiksje të gjakut.
 
Aktualisht nuk ka asnjë provë shkencore që lidhin vaksinën me rastet e raportuara me trombozë. AstraZeneca thotë se më pak se 40 raste me mpiksje të gjakut janë raportuar nga 17 milionë persona që morën një dozë në vendet e Bashkimit Europian apo në Britaninë e Madhe.
 
Edhe ekspertët mjekësorë në Gjermani nuk mbështesin vendimin e qeverisë federale për pezullimin e përdorimit të vaksinës së AstraZeneca-s, teksa qytetarët shprehen të kënaqur me marrjen e një doze dhe janë në pritje të dozës së dytë.