Maqedoni
Arsim, tërhiqet nga përdorimi libri i gjeografisë
18.03.2021 14:03
Libri skandaloz i gjeografisë me përmbajte fyese për shqiptarët për vitet e dyta edhe zyrtarisht është tërhequr nga përdorimi....

Libri skandaloz i gjeografisë me përmbajte fyese për shqiptarët për vitet e dyta edhe zyrtarisht është tërhequr nga përdorimi. Zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani, theksoi se vendimi i MASh-it për t’u tërhequr ky libër erdhi pas konstatimit të komisionit recensues se në atë libër ka përmbajtje fyese dhe të dhëna statistikore jo të sakta.
“Libri i Gjeografisë për vitin e dytë tërhiqet nga përdorimi, kjo për shkak të përmbajtjeve fyese dhe jo të sakta për shqiptarët. Fatkeqësisht libri me dekada ka qenë në përdorim për nxënësit e viteve të dyta edhe pse me MASh-in kanë udhëhequr ministra shqiptarë.”,- tha zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani.
Shabani theksoi se në kuadër të planit për reformim të tërësishëm të sistemit arsimor, një prej hapave kyçe është sigurimi i librave kualitativ dhe se po punohet në zgjidhjen sistematike të këtyre problemeve.
“Sipas ligjit, për çdo libër që detektohen të pavërtetat dhe skandalet formohet komision. Ky komision ishte adekuat për librin e gjeografisë dhe ne punojmë për zgjidhjen sistemore të çështjeve të librave, ndërsa derisa zbatohen librat e reja, gjitha librat tjerë që do të jenë fyes do të formojmë komisione të posaçme.”,- u shpreh zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani.
Për librin e gjeografisë komisioni gjithashtu ka konstatuar se është i mbingarkuar me të dhëna statistikore dhe të dhëna tjera të cilat nuk i përgjigjen në mënyrë përkatëse qasjes didaktike-metodike për moshën e fëmijëve. Gjithashtu, në disa njësi mësimore në libër janë të shkelura parimet e paprekshmërisë së kulturës, historisë dhe vlerave tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është në kundërshtim me Ligjin për Libra për Shkolla Fillore dhe të Mesme. Ky vendim i MASh-it vjen pas reagimeve të shumta për përmbajtjen ofenduese dhe shtrembërimin e fakteve të historisë shqiptare.
ZEKIRJA MEXHITI
