Maqedoni

Rasti “Lidhja Ndërkombëtare”, dha dëshminë Orce Kamçev

18.03.2021 15:33

Biznesmeni, Orce Kamçev, sot nga burgu i Shutkës është sjellë për të dëshmuar...

Biznesmeni, Orce Kamçev, sot nga burgu i Shutkës është sjellë për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”. Kamçev është në paraburgim për rastin e “Parcelat” në Vodno të Nikolla Gruevskit, ndërsa kërkon të largohet nga cilësia e dëshmitarit në rastin e lartpërmendur.                                                                                                                                                                     
 
“Jam i arrestuar në mënyrë të paligjshme, po pres këtu për të dëshmuar në gjykatë plot 4 orë. Prandaj kërkoj që të largohem nga cilësia e dëshmitarit, sepse vlerësoj se është vënë në pikëpyetje kretibiliteti im si dëshmitar.”,- theksoi Orce Kamçev.
 
Por, gjykatësja Sofçe Gavrillova, nga Gjykata Penale në Shkup, nuk e pranoi kërkesën e tij dhe i tregoi Kamçevit se ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit të Gjykatës për Krim të Organizuar dhe duhet të dëshmojë. Kur prokurorja, Ivana Trajçeva, i bëri një pyetje se kur kishte mësuar për “Lidhjen Ndërkombëtar”, ai tha se në aktakuzën mungojnë Zoran Milevski, Katica Janeva dhe djali i saj. Ai pohoi se përmes tyre i është ofruar të financojë dy projekte, njëri për një qendër tregtare për markat botërore, tjetri për shtëpinë e pleqve të cilët sillen në Maqedoni nga jashtë vendit. Ai po ashtu pohoi se projektin e parë e kishte refuzuar, ndërsa për të dytin kishte kërkuar kohë ta hulumton se për çka bëhet fjalë, sepse sipas tij aty kishte pas lokacione private që mund të konsiderohej për shtëpitë e të moshuarve, por tha se ai hasi në disa paqartësi rreth projektit.
 
“Oferta ishte nga djali i Katica Janevës dhe jo nga Bojan Jovanovski, por unë nuk e kam nënshkruar as projektin e dytë. Dhe pasi refuzova ta nënshkruaj projektin e dytë u aktivizua rasti “Imperia”kundër meje”,- tha Kamçev.
 
Në gjykim për mashtrimet në “Lidhjen Ndërkombëtare” janë të akuzuar Bojan Jovanovski – Boki 13, Jasna Mandiq, Mile Jovanovski, prindi i Boki 13, Kristina Bllazhevska dhe Frosina Remenski. Ndërsa i pari që dëshmoi për këtë rast ishte kryetari i kësaj organizate, Agapi Dika. Jovanovski akuzohet se ka gënjyer se gjoja “Lidhja Ndërkombëtare” është organizatë e Bashkimit Europian dhe u ka marrë miliona euro biznesmenëve, Siljan Micevskit dhe Adrijan Amzoskit, me ndihmën edhe të tre të akuzuarve të tjerë, ndërsa shtëpitë për personat e moshuar asnjëherë nuk u ndërtuan.
 
FITIM KRYEZIU