Maqedoni

Grubi për vizitë në Prishtinë, kërkon mbështetjen për regjistrimin e diasporës

18.03.2021 15:54

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga Prishtina ka kërkuar përkrahjen e diasporës kosovare...

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga Prishtina ka kërkuar përkrahjen e diasporës kosovare për procesin e regjistrimit të diasporës nga Maqedonia e Veriut, që është në rrjedhë e sipër. Për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë në RMV u diskutua në takimet e Grubit me liderët e partive politike kosovare të cilët po ashtu apeluan te diaspora të bëhet pjesë e procesit të regjistrimit.
 
“Diaspora e shqiptarëve të Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, bashkë i kanë zhvilluar aktivitet në mërgatë dhe tash më t’i dalin në ndihmë, sepse jemi të pandarë dhe t’i ndihmojnë bashkëqytetarëve tanë që të regjistrohen në diasporë, sepse rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave politike të shqiptarëve në RMV.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
“I ftoj kudo që janë të gjithë shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës e që janë nga Maqedonia e Veriut, të marrin pjesë aktive në regjistrimin civil.”,- tha ushtruesi i detyrës kryetar i PDK-së, Enver Hoxhaj.
 
“Për procesin e regjistrimit të popullsisë atje dhe më lejoni nga këtu, nga ky moment, t’i bëjë thirrje gjitha degëve dhe strukturave të LDK-së që janë  në diasporë të ndihmojnë në këtë drejtim.”,- theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
“Kësaj here duhet të jemi gjithë bashkë që të përkrahim, ndihmojmë regjistrimin e shqiptarëve në Maqedoni, pra atyre që janë në diasporë. Pra, është një proces i lehtë, i qartë dhe duke e bërë këtë akt, ata e ndihmojnë veten, familjet e tyre, por edhe atdheun dhe në këtë rast gjithë rajonin.”,- u shpreh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
Me apel për pjesëmarrjen e regjistrimit një ditë më parë ka dalë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Grubi njëherit paralajmëroi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive pas zgjedhjes së qeverisë së re në Kosovë. 
 
“Mezi po presim formimin e qeverisë së re në Kosovë që të vijojmë me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë që t’i realizojmë këto marrëveshje, t’i realizojmë ato marrëveshje duke filluar edhe me largimin e kufirit midis nesh në Bllacë, si dhe në Bellanoc, nëse ju kujtohet një nga të arriturat tona të përbashkëta është edhe hapja e atij kufiri midis dy vendeve tona.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Zëvendëskryeministri Grubi ka theksuar se po punohet për përfundimin e autostradës Bllacë-Shkup, duke bërë të ditur se është bërë shpronësimi i tërësishëm i gjithë trasesë prej 13 kilometrash nga rruga qarkore e Shkupit deri te vendkalimi kufitar Bllacë.


SANIJE DURAKU