Maqedoni
Masat ekonomike, Bytyqi: Shkurti do të jetë i mbuluar me paga
18.03.2021 16:20
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, pret që javën e ardhshme ligjet për masat ekonomike...

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, pret që javën e ardhshme ligjet për masat ekonomike të miratohen në Kuvend dhe ndihma të arrijë te të gjithë ata që kanë nevojë. Sipas Bytiqit, në kohë krize shëndetësore nuk është moment për bërje politikë.
“Shkurti do të jetë i mbuluar me paga, ndërsa për pjesën tjetër përgjigjen duhet ta japin deputetët. Ligjet do të miratohen dhe ndihma do të arrijë deri tek ata që kanë nevojë. Kjo është dëshmi se ne në periudhë krize duhet të vazhdojmë të punojmë në zgjidhjet e reja ligjore në masa të reja, në politika të përbashkëta e kështu me radhë.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Forumi “Ekonomia në udhëkryq”, kompanitë eksportuese promotorë të zhvillimit
Në forumin ekonomik me temë “Ekonomia në udhëkryq: Cili do të jetë motori i rritjes pas Kovid -19”, ku ishte i pranishëm edhe Bytiqi, u tha se kompanitë e orientuara drejt eksportit duhet të jenë promotorë të zhvillimit dhe duhet të investojnë në teknologji.
“Një nga masat e propozuara nga ne ishte harmonizimi i doganave dhe ajo është veç më pjesë e pakos së pestë. Megjithatë, një pjesë e masave që duhet të jenë në të ardhmen duhet të jenë të koncentruara në tërheqjen e investimeve të reja dhe mundësimin e linjave kreditore të cilat janë më të volitshme dhe të cilat janë me një afat më të gjatë kohor.”,- theksoi një përfaqësues i “Finance Think”.
“Ne mundohemi të mbështesim zhvillimin në RMV dhe në këtë drejtim punojmë me autoritetet në drejtime të ndryshme, veçanërisht punojmë në drejtim të inovacionit dhe konkurrueshmërisë në sektorin privat, ndërsa bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë për të zhvilluar biznesin dhe të krijojmë mundësi të reja për punë në drejtim të sigurimit të kornizave për partneritet publiko-privat.”,- u shpreh ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shkup, Rachel Galloway.
Në forum u prezantua publikimi “Potenciali i kompanive të orientuara nga eksporti për kontributin në rimëkëmbjen ekonomike pas Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut”, i përpunuar nga “Finance Think” dhe i mbështetur nga Qeveria e Britanisë së Madhe dhe Ambasada britanike në Shkup.
ZEKIRJA MEXHITI
