OBSh po analizon të dhënat për vaksinën e “AstraZeneca”

18.03.2021 17:45

Rritja e numrit të rasteve të virusit korona....

Rritja e numrit të rasteve të virusit korona në disa vende europiane imponon nevojën për të mbështetur masat e shëndetit publik edhe pse vaksinimet janë duke vazhduar, tha kreu i zyrës europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Hans Kluge.

Ai foli edhe për vendimin nga disa vende për të pezulluar përkohësisht përdorimin e një vaksine të zhvilluar nga “AstraZeneca” pas raporteve të efekteve anësore të mundshme.                                                                                                                     

“Deri tani, ne nuk e dimë nëse disa ose të gjitha kushtet janë shkaktuar nga vaksina ose nga faktorë të tjerë të rastësishëm. OBSH-ja po vlerëson të dhënat më të fundit të sigurisë … përfitimet e vaksinës “AstraZeneca” tejkalojnë rreziqet e saj dhe përdorimi duhet të vazhdojë për të shpëtuar jetë.”,- deklaroi drejtori i OBSh-së evropiane, Hans Kluge.

Covid-19, rritje e të infektuarve në vendet e Ballkanit

Pavarësisht “suksesit” që po arrin fushata e vaksinimit, Serbia ka vendosur të shtrëngojë masat kufizuese kundër COVID për një javë. Qeveria serbe ka vendosur mbylljen e kafeneve dhe restoranteve qendrave tregtare, dyqaneve dhe aktiviteteve të tjera jo thelbësore, me përjashtim të supermarketeve, dyqaneve ushqimore, farmacive. Mirëpo, paradoksi qëndron te fakti se këto masa po ndërmerren në një kohë kur Serbia po zhvillon një proces të suksesshëm vaksinimi.

Pas Britanisë së Madhe, Serbia renditet në vend të dytë si shteti që ka kryer më shumë vaksinime. Vihet re se numri i të infektuarve me COVID ka pësuar rritje, çka ka sjellë edhe reagimin e qeverisë.

Ndërkohë, Qeveria greke do të lehtësojë masat pavarësisht shifrave të larta të infektuarve dhe të shtruarve në spitale. Gjithashtu në Bullgari, pas rritjes se  numrit të të infektuarve  me Covid-19 qeveria bullgare  nga 22 marsi, do të aplikohen 10 ditë masa më të ashpra në të gjithë vendin. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)