LSDM dhe VMRO-DPMNE, akuza për korrupsion dhe kriminalitet
LSDM e ka akuzuar VMRO-DPMNE-në....

LSDM e ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se po e bllokon punën e Kuvendit ashtu siç ka bërë edhe më herët kur u pengua Ligji për Prokurorin Publike dhe ka bërë çmos që rastet e Prokurorisë Speciale në mesin e të cilës është edhe “Perandoria” të mos marrin epilog gjyqësor.
“Hristijan Mickovski çdoherë është në anën e krimit dhe kriminelëve, por asnjëherë në anën e qytetarëve. Ajo po dëshmohet edhe me rastin e fundit të arrestimit të biznesmenit, Orce Kamçev. Pikërisht këto të dy kanë bashkëpunuar ngushtë në të kaluarën, por edhe tani, këto e dëshmuan edhe gjatë publikimit të bisedave në mes Mickovskit dhe Zoran Milevski, ku lideri i VMRO-DPMNE-së pohon se do të pengojë sjelljen e Ligjit për Prokurorinë Publike dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur që lëndët e PSP-së të bien poshtë.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja kanë reaguar se pikërisht janë zyrtarët e LSDM-së të cilët duke keqpërdoruar mjetet publike, dhe duke bërë shkelje të ligjit, po shkaktojnë skandale të mëdha korruptive, duke përfshirë këtu edhe pushimet luksoze të cilat po i realizojnë Ljubço Nikollovski dhe Dragi Rashkovski.
“Nuk mundet udhëheqësia e lartë e Qeverisë të notojnë në luks, ndërsa banorët të mos kenë bukë për të ngrënë. Ljubço Puteri po harxhon nga 1000 euro në ditë në Dubai, ndërsa Rashkovski nga 1350 euro në ditë në Meksikë. Si ka mundësi që këto funksionarë me paga normale të shkojnë në pushime ekstra luksoze. Pushimi në Dubai për tri ditë kushton rreth 3000 euro, ndërsa Rashkovski për pushim 15 ditor në Meksikë do të duhet kishte harxhuar rreth 20 mijë euro.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
VMRO-DPMNE ka kërkuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Policin Financiare dhe Prokuroria Publike që t’i hulumtojnë këto raste, përkatësisht se me cilat mjete ata po realizojnë pushime luksoze. (Fitim Kryeziu, TVM2)
