Maqedoni
Strugë – Ohër, hotelierët kërkojnë vaksimin e punonjësve turistik
19.03.2021 14:59
Rritja e rasteve të reja të të infektuarve me Covid 19, rrezikon edhe këtë sezon turistik...

Rritja e rasteve të reja të të infektuarve me Covid 19, rrezikon edhe këtë sezon turistik. Sektori i turizmit ka qenë ndër më të prekurit e kësaj pandemie, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. Edhe në shtetet fqinje situata është e rënduar, gjë që ndikon në turizmin tonë. Shumë hotele dhe qendra të tjera turistike janë të mbyllura që nga fillimi i dimrit. Nga shoqata e hotelierive kërkojnë që të bëhet vaksinimi i punonjësve turistik sa më shpejtë të jetë e mundur. Ata shpëtimin e sezonit turistik e shohin në imunizimin masiv kolektiv në të cilin përparësi do të kenë punonjësit turistik.
“Duhet të bëhet imunizimi, kemi nevojë për vaksina jo vetëm në Maqedoni por në përgjithësi në të gjithë rajonin dhe kur jemi më të sigurt si rajon nuk do të kemi frikë se kur mysafirët vijnë nga një vend tjetër fqinj ata do të sëmuren ose do të sëmuremi ne prej tyre. Këtu duhet siguri dhe pastaj ngadalë fillohet me mysafirë të huaj.", tha Kërste Blazheski, kryetar i HOTAM.
Ekspertët thonë se vendi ka dështuar me vaksinimet dhe kjo do ti kushtojë shumë sektorit të turizmit. Nëse edhe këtë sezon nuk arrijnë mysafirë të huaj, pritet një kolaps në turizëm, që do të thotë se edhe shumë objekte të tjera do të detyrohen të vëndojnë çelës në dyert e tyre dhe shumë punonjës do të humbin punën.
ILMIJE ZHAKU
