Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë në diasporë, Hoxha: Regjistrohen mbi 82 mijë bashkëqytetarë
19.03.2021 15:59
Mbi 82 mijë bashkëqytetarë në diasporë janë kanë shfrytëzuar të drejtën që të regjistrohen përmes aplikacionit on-line....

Mbi 82 mijë bashkëqytetarë në diasporë janë kanë shfrytëzuar të drejtën që të regjistrohen përmes aplikacionit on-line. Në këtë proces prijnë bashkëqytetarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, më gjatë se një vit, pason Gjermania me 19 mijë persona të regjistruar dhe më pas Italia. Qeveria njofton se janë tejkaluar të gjithë pengesat teknike që u paraqitën në fillim të ketij procesit dhe fton diasporën që të regjistrohet. Afati I fundit për regjistrim është data 21 prill.
“Jemi të kënaqur me numrin e qytetarëve të regjistruar deri më tani dhe njëkohësisht ju sigurojmë se si qeveri mbetemi të përkushtuar për realizimin e suksesshëm të këtij operacioni statistikor. E shfrytëzojmë këtë mundësi që edhe një herë të dërgojmë apel deri te diaspora e jonë që në mënyrë aktive të marrin pjesë në realizimin e regjistrimit të popullsisë që do të zgjasë deri më 21 prill.”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Vidinovski: Regjistrimi i tjetrit, s’ka manipulim
Ata që nuk do të mund të regjistrohen vetë, kanë mundësi që të regjistrohen përmes ndonjë të afërmi të tij, mjafton që ai të ketë numrin amzë të personit që e regjistron. Nga Ministria e Drejtësisë mohojnë zërat për mundësi manipulimi, në këto raste.
“Njerëzit që i regjistrojnë të afërmit e tyre që janë jashtë garantojnë me numrin e tyre amzë. Të dhënat që do të japin për të afërmit e tyre do të kontrollohen në tetë baza të të dhënave. Kështu që mundësitë që të bëhet ndonjë mashtrim janë shumë të vogla pasi me kryqëzimin e të dhënave shumë lehtë do të konfirmohet nëse të dhënat janë të sakta ose jo.”, tha Aleksandar Vidinovski nga Ministria e Drejtësisë.
Georgieva: Do regjistrohen edhe ata, në izolim
Nuk do të mbeten pa regjistruar as personat që gjatë periudhës së regjistrimit në vend, nga një prilli deri më 21 prill, do të jenë në izolim.
“Nga java tjetër do të fillojmë të marrim të dhënat nga “Termini im” për personat e infektuar në bazë ditore. Kështu do të bëjmë një kornizë kohore kujt kur i fillon izolimi dhe sa zgjat. Nëse ka mundësi që të regjistrohet personi deri sa është në izolim do ta regjistrojmë, nëse gjatë gjithë kohës së regjistrimit personi është në izolim do të bëjmë përpjekje të kontaktojmë me të ose me familjen e tij dhe të shohim se kush nga anëtarët e familjes mund të jep të dhëna për atë.”, tha Jasmina Georgieva nga ESHS.
Edhe në rastet kur personi në izolim është i vetëm, nuk do të mbetet pa regjistruar. Në raste të tilla regjistruesi do të futet në objektin e personit të infektuar konformë protokolleve për t’u mbrojtur nga virusi Kovid 19.
SHPËTIM NUREDINI
