Botë

Covid-19, liderët europianë vaksinohen me “Astra-Zeneca”

20.03.2021 15:41

Liderët europianë vaksinohen me vaksinën anti Kovid të prodhuar nga “AstraZeneca”...

Kryeministri britanik, Boris Johnson, mori të premten publikisht dozën e parë të kësaj vaksine. Ky veprim i kreut të qeverisë britanike erdhi pasi Agjencia Europiane e Barnave konfirmoi efektshmërinë dhe sigurinë e vaksinës.

Edhe kryeministri francez mori të premten vaksinën e “AstraZeneca”, ndërsa përdorimi i saj filloi në mbarë vendin, pas miratimit nga rregullatori i barnave. Të tjerë udhëheqës që u vaksinuan me “AstraZeneca”-n ishin presidenti dhe kryeministri slloven. Edhe KRyeministri italian, Mario Dragi, u përpoq të sigurojë italianët mbi vaksinën e “Astrazeneca”-s, duke thënë se ai do të vaksinohet vetë.

“Unë nuk e kam pronotuar ende radhën time për t’u vaksinuar, por grupi i moshës time tashmë ka filluar të imunizohet, dhe po, unë do të marr vaksinën e “Astrazeneca”-s.”,- tha kryeministri italian, Mario Dragi.

Gjithashtu kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se është e gatshme të vaksinohet me vaksinën e “AstraZeneca”-s, pavarësisht pezullimit të saj për disa ditë.                                                                                                                           

“Po, unë do të vaksinohem me vaksinën “AstraZeneca”-s. Do të pres të më vijë radha, por absolutisht që do ta bëj.”,- theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ndërkohë, OBSh ka deklaruar se numri i rasteve të reja me   Kovid-19 po rritet për katër javë me radhë. Numri i rasteve po rritet në shumicën e rajoneve dhe këto prirje shqetësuese tregojnë ndikimin e mutacioneve të reja në virus, hapjen e shoqërive dhe shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave.

Shifrat e OBSh-së tregojnë se vetëm në 24 orët e fundit, ka pasur më shumë se 535,000 të infektuar dhe gati 10,000 vdekje.

REJHANE BUSHI METAJ