Maqedoni
Zaharieva: Bullgaria pranon vetëm identitetin e ri maqedonas
20.03.2021 16:33
Bullgaria pranon vetëm identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945, thotë ministrja e Jashtme e Bullgarisë...

Bullgaria pranon vetëm identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945, thotë ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një shkrim të saj për magazinën gjermane “Theeuropean.de”. Ajo njëherit akuzoi drejtuesit e institucioneve të Shkup për “mohimin e historisë së përbashkët”.
“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet integrimin evropian. Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka.”,- ka shkruar Zaharieva.
Zaharieva ka akuzuar vendin edhe për moszbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, si dhe për diskrimionim të bullgarëve.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së.”,- thekson shefja e diplomacisë bullgare, sipas të cilës Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.
Zaev: RMV i sheh si vende mike të gjitha vendet fqinje
Por Kryeministri Zoran Zaev në intervistën për portalin “Dello” të Sllovenisë, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut meriton të nisë negociatat me Bashkimin Evropian. Ai ka shprehur bindjen, se kjo do të lehtësohet gjatë kryesimit të Sllovenisë me Bashkimin Evropian.
“Është e saktë se me mosmiratimin e kornizës së bisedimeve Maqedonia e Veriut po humb kohë të shtrenjtë, por vlerësojmë se reagimi i vetëm i duhur evropian është të përforcohet kërkesa që të respektohen vlerat evropiane.”,- thekson kryeministri Zaev, sipas të cilit vendi po shikon drejt ardhmërisë dhe i sheh si vende mike të gjitha vendet fqinje.
ZEKIRJA MEXHITI
