Maqedoni
Dorëheqja e deputetit të CSU, Tobias Zech, LSDM: Institucionet e vendit të hetojnë rastin
20.03.2021 17:00
LSDM ka ftuar institucionet kompetente të hetojnë rastin që ka të bëjë me financimin e dyshimtë të konsulentëve të VMRO-DPMNE-së...

LSDM ka ftuar institucionet kompetente të hetojnë rastin që ka të bëjë me financimin e dyshimtë të konsulentëve të VMRO-DPMNE-së në vitin 2016 dhe 2017. Sipas LSDM-së pas dorëheqjes së deputetit gjerman, Tobias Zech nga CSU, VMRO-DPMNE në mënyrë indirekte ka pranuar skandalin.
“Tani shumë me rëndësi është që institucionet kompetente në vendin tonë të veprojnë. Publikisht u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente të hetojnë këtë rast dhe të informojnë publikun për të dhënat. Sidomos kur VMRO-DPMNE gjithmonë lidhet me financa dhe transferime të dyshimta. Pyetjet kryesore që hetimi duhet të përgjigjet janë: nga vijnë këto para dhe si janë paguar ato? Sipas mediave gjermane, SPIEGEL dhe Focus, bëhet fjalë për shumë prej pesë shifrash, 50,000 euro që iu paguan deputetit gjerman për shërbime këshilluese.”,- tha Slavjanka Petrovska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM defokuson opinionin nga skandalet e saj
Por në reagimin e VMRO-DPPMNE-së thuhet se LSDM kot po përpiqet të defukusojë opinionin nga skandalet, papërgjegjësia dhe paaftësia e vet.
“Kur LSDM flet për skandale financiare, me siguri i referohet skandalit miliona dollarësh “Zhvatja”, ku i dënuari i parë pranoi se paratë e zhvatura në Maqedoni përfunduan te Zoran dhe Vice Zaevi. Apo ndoshta LSDM, me skandale financiare, mendojnë shumat e parave që Den Donçev vendosi në një qese, e për të cilën, akoma nuk ka zgjidhje në Prokurorinë, edhe pse ka kaluar një vit nga skandali. Apo skandal financiar ndoshta ata e konsiderojnë blerjen e softuerit nga Rashkovski, i cili u ble nga një kompani e themeluar menjëherë pas zgjedhjes së Zaev si Kryeministër.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Tobias Zech, ka dhënë dorëheqje pasi mediat gjermane zbuluan se gjatë vitit 2016, ai ka marrë para nga VMRO-DPMNE e udhëhequr nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, për shërbime këshilluese dhe lobim.
Gazeta gjermane “Der Spiegel” shkruan se deputeti Zech ka marrë shuma pesë shifrore nga partia e Gruevskit, ndërsa në nëntor të vitit 2016 merr pjesë edhe personalisht në një tubim parazgjedhor të VMRO DPMNE-së. Sipas shtypit gjerman, deputeti i dorëhequr ka edhe interesa biznesi në Maqedoninë e Veriut.
Siç thuhet ai është pjesë e Këshillit Drejtues të kompanisë PharmCann, kompani e cila përmes partnerëve në Shkup është pjesë e biznesit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
NAIM RAMADANI
