Maqedoni

VMRO-DPMNE protestë para Ministrisë së Shëndetësisë

20.03.2021 17:52

Unioni i grave të VMRO-DPMNE-së organizoi protestë para Ministrisë së Shëndetësisë për rastin me lehonën në Dibër...

Unioni i grave të VMRO-DPMNE-së organizoi protestë para Ministrisë së Shëndetësisë për rastin me lehonën në Dibër, por edhe për gjendjen aktuale në sektorin e shëndetësisë, përfshirë dhe keqmenaxhimin me pandeminë, për çka u kërkua dorëheqje e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Deputeti i VMRO-DPMNE, Mile Lefkov, tha se dorëheqjen e kërkojnë për dy arsye: Për paaftësinë e ministrit Filipçe për të udhëhequr me shëndetësinë dhe për mashtrim të qytetarëve për sigurimin e vaksinës. 
 
“Unë mendoj se Filipçe, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë, duhet të mbajnë përgjegjësi penale, sepse ata me vetëdije po i gënjejnë njerëzit. Filipçe gënjen me vetëdije njerëzit dhe krijon pritje të rreme. Të gjithë të sëmurët dhe të gjithë të vdekurit do të shkojnë në shpirtin e tij. Sidomos ata që u infektuan dhe vdiqën. Ne jetojmë në një vend ku vaksinat nuk janë zbuluar ende. Ndërsa e gjithë bota po vaksinohet, për ne vaksinat nuk ekzistojnë. Kështu i shpërbleu Venko Filipçe punëtorët shëndetësorë. Dhe ata pak që ishin në dispozicion për punëtorët shëndetësorë ishin të donuara.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov. 
 
Filipçe: Opozita me sjellje të dëmshme në kohë pandemie
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, e dënon sjelljen e partisë opozitare,  VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, pikërisht kur gjithë bota po lufton me pandeminë dhe vendosin masa, VMRO–DPMNE organizon protesta dhe tallet me personelin mjekësor. 
 
“Fatkeqësisht e shohim sjelljen e opozitës, një sjellje e papërshtatshme që me të vërtetë është për t’u dënuar. Ja janë grumbulluar, protestojnë në periudhën kur ne ballafaqohemi me krizën më të madhe në historisë së njerëzimit, në historinë e shtetit tonë, ata po tallen pikërisht me mundin e personelit mjekësor, me ata që natë e ditë punojnë që asnjë pacient  mos të ngelet pa kujdesin e nevojshëm mjekësor.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
FIlipçe njëherit akuzoi opozitën për sjellje destruktive dhe bllokim në dëm të shëndetit të qytetarëve në kohë pandemie. 
 
SANIJE DURAKU