Kovid-19, 24 viktima dhe 1 299 të infektuar. Filipçe: Shtimi i masave restriktive në opsion
24 viktima dhe 1 mijë e 299 të prekur nga Kovid-19, është bilanci i 24 orëve të fundit...

Viktimat janë nga mosha 35 deri në 82 vjeç. Shtatë prej tyre janë nga Shkupi. Të tjerët janë nga Kavadari, Prilepi, Gjevgjelia, Tetova, Velesi, Koçani, Kërçova, Resnja dhe Radovishi.
Që të gjithë të ndjerët kanë ndërruar jetë në spitale. Thuajse gjysma nga të sapoinfektuarit - 672 janë nga Shkupi, duke e çuar numrin e të infektuarve në kryeqytet në 7 mijë e 700 raste aktive.
Numri i rasteve aktive në mbarë vendin është 15 mijë e 38 persona, ndërkaq i atyre që ndërruan jetë është gjithsej 3 448.
Në 24 orët e fundit betejën me virusin e kanë fituar 413 pacientë duke e çuar numrin e të shëruarve në mbi 100 mijë persona.
Repartet infektive në Shkup dhe qytete të tjera janë duke mjekuar 1 289 pacientë. Nga ministria e shëndetësisë njoftojnë se nëpër Kovid qendrat ka rreth 300 shtretër të lirë.
Në 24 orët e fundit 84 persona kanë përfunduar në Kovid qendrat e Shkupit. Pjesa më e madhe e të hospitalizuarve janë nën mbështetje të oksigjenit.
Si pasojë e numrit të shtuar të të prekurve, edhe në klinikën e kirurgjisë plastike në Shkup është hapur qendër Kovid.
MERAL ISMAILI
