Maqedoni

Regjistrimi i diasporës, janë regjistruar 88 mijë persona

20.03.2021 18:40

Vazhdon të vijojë procesi i regjistrimit të diasporës...

Deri më tani janë regjistruar mbi 88 mijë qytetarë, por ky numër sa shkon e rritet. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 5.500 persona.
 
Sipas mërgimtarëve të kontaktuar nga TVM2, ditëve të fundit është vërejtur një interesim i shtuar i diasporës për t’u regjistruar. Pas thirrjeve të shumta nga zyrtarët si dhe përfaqësuesit e partive politike në vend, por edhe atyre nga Kosova dhe Shqipëria, disa shoqata dhe individë janë angazhuar që t’u dilet në ndihmë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për t’u regjistruar.
 
Ata thonë se kanë hasur në disa vështirësi rreth disa pyetjeve, por me ndihmën e ofruar po ia dalin të regjistrohen. 
 
“Procesi mu duk shumë i lehtë dhe kisha mundësi ta mbaroj deri në fund, ashtu siç duhet. E kam bërë regjistrimin për vete dhe për bashkëshorten time, ishte e thjeshtë dhe nuk kishte asnjë problem. Kanë qenë disa pjesë aty ku ishin vetëm në gjuhën maqedonase dhe nuk kishim mundësi t’i lexojmë dhe kuptojmë, por mendoj se e kemi mbushur mirë. Ishte i lehtë, i kishin të gjitha të dhënat, adresa në Shkup, adresa në Belgjikë, numri i pjesëtarëve të familjes.”,- tha mërgimtari në Belgjikë, Enver Topojani.
 
Ky bashkëvendës nga Belgjika thotë se interesimi i diasporës për t’u regjistruar është rritur dukshëm. 
 
“Ka shumë interesim dhe ka disa organizime dhe po mbahen mbledhje në të gjitha anët, janë duke krijuar grupe për mes WhatsApp, Viber, Facebokut. Sidomos ne jemi familje e madhe dhe të gjithë anëtarët me shtetësi të Maqedonisë janë të regjistruar.”,- tha mërgimtari në Belgjikë, Enver Topojani.
 
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Entit Shtetëror të Statistikës, numri më i madh i mërgimtarëve të vetëregjistruar është nga Zvicra, ndërsa pasojnë ata nga Gjermania, Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera.  Fatmir Osmani nga Bazeli i Zvicrës thotë se diaspora është organizuar për të ndihmuar këtë proces në klube dhe xhami.
 
“Organizimi është bërë në baza vullnetare, si institucionet fetare, klube apo shoqata, ne e kemi marrë një lokal këtu në qendër të Bazelit dhe bëjmë regjistrimin personalisht dhe kemi interesim goxha të madh. Nga ora 10 deri në këto momente janë diku rreth 110 persona të regjistruar vetëm nga ne. Politika, për mendimin tim personal dhe shumë të tjerë, ende është duke fjetur, por mos të harrojmë se mërgata në Zvicër çdo herë ka qenë shumë më e organizuar.”,- theksoi mërgimtari në Zvicër, Fatmir Osmani.
 
Edhe Osmani ka ankesa tek formulari i regjistrimit.
 
“Për mendimin tim, kjo puna e këtij formulari regjistrues është bërë paksa i komplikuar dhe gjuhët të cilat janë si francezë e gjuhë angleze, ndërsa ne e dimë se mërgata nga RMV është kryesisht në shtetet gjermanofolëse dhe gjermanishtja do të ishte opsion. Por, ajo që bie në sy është formulimi i pyetjeve, sepse për mendimin tim është pak si absurd që ta kuptosh. Gradualisht kanë ndryshuar disa gjëra se në fillim ishte katastrofike, server i stërngarkuar dhe shumica e pyetjeve dhe shumica e përgjigjeve duhej të jepen në shkrimin cirilik dhe joçdokush nga ne në diasporë e zotëron ose e kupton gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik, ndërsa tek pyetja e vendbanimit ende është në gjuhën cirilike.”,- theksoi mërgimtari në Zvicër, Fatmir Osmani.
 
Deri tani vetëm në Zvicër janë regjistruar mbi 26366 qytetarë, në Gjermani 19083, Itali 10904, Austri 4372, kurse në Belgjikë 1868. Në SHBA deri më tani janë regjistruar 3059 shtetas të Maqedonisë, ndërsa në shtetet arabe 150 persona. 
 
FITIM KRYEZIU