Maqedoni
ShBA, dënohet për krim kibernetik një maqedonas
20.03.2021 19:28
Nën akuzat për përfshirje në krime kibernetike të nivelit ndërkombëtar, në Shtetet e Bashkuara janë dënuar me burg...

Nën akuzat për përfshirje në krime kibernetike të nivelit ndërkombëtar, në Shtetet e Bashkuara janë dënuar me burg një rus dhe një maqedonas.
Rrjeti në të cilin ishin të përfshirë këta dy persona është përgjegjës për vjedhjen e 568 milionë dollarëve në të gjithë botën, ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Sergei Medvedev, 33 vjeç, nga Rusia dhe Marko Leopard, 31 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, u dënuan me 10 vjet përkatësisht me 5 vjet burgim.
Medvedev ishte një bashkëthemelues dhe administrator i Infraud, një “ndërmarrje kriminale në internet që ekzistonte për të pasuruar anëtarët dhe bashkëpunëtorët e saj përmes një morie veprimesh kriminale të vjedhjes së identitetit dhe mashtrimit financiar”, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë. Ai u arrestua në Tajlandë në vitin 2018.
Maqedonasi Leopard ndihmoi në shitjen e mallrave dhe shërbimeve të paligjshme në internet për anëtarët e Infraud. Ky rrjet në kulmin e aktivitetit të tij kishte 10.000 anëtarë dhe ata vepronin nën moton “Në mashtrim ne besojmë”.
