Regjistrimi i popullsisë 2021, regjistrohen rreth 100 mijë mërgimtarë

21.03.2021 15:17

Procesi i regjistrimit në diasporë po merr hov....

Procesi i regjistrimit në diasporë po merr hov. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 13 mijë mërgimtarë, përkatësisht personat e regjistruar përmes aplikimit për vetë-regjistrim ka arritur rreth 100 mijë bashkëqytetarë të vetëregjistruar.

ASH-AAA: ESHS të mënjanojë difektet në aplikacion

Mirëpo opozita shqiptare sërish ka ngritur shqetësimin për pengesa në aplikacion. Sipas ASH-së të dhënat për komunën, për adresën dhe për profesionet në formular janë vetëm maqedonisht.

“Pa dashur të paragjykojmë se a është bërë kjo qëllimisht, që kështu të vështirësohet e të pengohet regjistrimi i mërgatës apo ka dalë rastësisht – nga padija e drejtuesve të Entit të Statistikave, gjë që duhet ta thonë ata, por në kohën kur të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë mobilizuar për ta motivuar regjistrimin e mërgatës, të dalin këso pengesa kjo nuk mund të lexohet ndryshe pos si sabotim.” - thuhet në kumtesën e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Aletrantiva.

Opozita i bën thirrje Entit të Statistikave që urgjentisht të korrigjojë leshimet në regjistrimin.

VMRO DPMNE: Regjistrimi duhet të ndërpritet

VMRO DPMNE, nga ana tjetër, sërish ka ftuar qeverinë që të ndërpresë procesin e regjistrimit. Sipas opozitës maqedonase, regjistrimi në kohë pandemie ndihmon përhapjen e virusit dhe rezikon shënderin e qytetarëve.

“ Në kushte të këtilla epidemiologjike regjistrimi duhet të ndërpritet. Rreziku nga zbatimi i regjistrimit është shumë i madh. Regjistrues të pavaksinuar nënkupton përhapje në masë të virusit dhe 2400 viktima të mundshme vetëm nga regjistrimi. Sipas vlerësimeve do të infektohen rreth 500 mijë persona.” – thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së. 

Regjistrohen të pastrehët në 3 qendra strehimi

Në ndërkohë ka vazhduar procesi i regjistrimit edhe në vend për grupe të caktuara. Përkatësisht, Enti Shtetëror i Statistikave njofton se me sukses është realizuar regjistrimi i të pastrehëve në qendrat e strehimit në Vizbeg, Çiçino dhe Ranka Millanoviq. (Shpëtim Nuredini, TVM2)