Botë
Kosovë, Glauk Konjufca zgjedhet kryetar i ri i Kuvendit
22.03.2021 12:00
Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje....

Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Me zgjedhjen në krye të kuvendit, Konjufca merr edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Kryetari i ri i kuvendit, Konjufca edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019 ishte zgjedhur në këtë post, të cilën e mbajti për një kohë të shkurtër, duke ia liruar vendin Vjosa Osmanit dhe vetë kaloi në udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndërkaq, me 107 vota për, gjashtë kundër, u zgjodhën nënkryetarë të kuvendit nga tri grupet më të mëdha parlamentare.
Në seancën konstituive, pritet zgjedhja edhe e nënkryetarëve të këtij institucioni. Konsitutimi i kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje.Të pranishëm në këtë seancë janë edhe diplomatët e huaj në Prishtinë.
