Botë
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Glauk Konjufca kryetar i ri i Kuvendit
22.03.2021 13:31
Kuvendi i Kosovës mbajti seancën konstituive të përbërjes së tetë parlamentare...

Kuvendi i Kosovës mbajti seancën konstituive të përbërjes së tetë parlamentare, të cilën e drejtoi deputeti kumanovar i Vetëvendosjes, Avni Dehari. Në këtë seancë kryetar i ri i Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca.
“Konstatoj se me 69 vota për, me 33 vota kundër dhe pa asnjë abstenim, Kuvendi e zgjodhi deputetin, Glauk Kosnjufca, kryetar të kuvendit të RKS-së.”,- tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
“Zotohem se do ta kryej detyrën time me nderë, me përgjegjësi dhe me përkushtim. Për mua nuk do të ketë deputet të kësaj apo asaj partie, për mua si kryetar i Kuvendit do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës.”,- theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kosnjufca.
Menjëherë pas zgjedhjeve në postin e kryeparlamentarit u bë edhe pranim-dorëzimi mes Glauk Kosnjufcës dhe Vjosa Osmanit, e cila ishte kryetare e deritanishme e kuvendit. Konjufca nga Osmani mori edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, me bindjen se do ta kthejë pikërisht te Osmani këtë post pasi ajo të zgjidhet në detyrën e presidentes, gjatë ditëve në vijim.
“Kam nderin që t’ia bartë përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, deputetit dhe përfaqësuesit shembullorë të qytetarëve të Kosovës në pesë legjislatura.”,- u shpreh kryetarja e deritanishme e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Përmes zgjedhjeve të kryetarit të Kuvendit dhe kryesisë u hap rruga për institucionet e Kosovës, që të shkohet hapave të tjerë, pra zgjedhjen e qeverisë së Kosovës dhe së shpejti edhe për juve si presidente e ardhshme e Republikës së Kosovës.”,- deklaroi kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjofca.
Kurti: Pres mandatimin nga Konjufca për qeverinë e re
Konjufca paralajmëroi se qeveria e re e Kosovës, apo qeveria Kurti dy, do të zgjidhet gjatë ditës së sotme. Kurti tha se e ka gati përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe pret mandatimin nga ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca.
“Tash e kemi Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit dhe ushtrues detyre të presidentit, pres prej tij të më sjellë ftesën për formimin e qeverisë si mandatar i ardhshëm dhe më pastaj do t’i ndjekim të gjitha hapat kushtetues dhe ligjor.”,- theksoi kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Kostituimi i institucioneve të reja të Kosovës po bëhet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur Vetëvendosje fitoi mbi 50% të votave, me ç’rast vetëm me përkrahjen e deputetëve të monoriteteve joserbe krijoi shumicën e re parlamentare. PDK, LDK dhe AAK mbeten në opozitë.
GYLTENE SINANI
