Hamilton kampion i botës në Formula 1
Lewis Hamilton ka fituar titullin botëror në Formulën 1 për vitin 2014. Piloti britanik i Mercedesit ka arritur të lërë pas të gjithë edhe në garën e fundit sezonale...

Lewis Hamilton ka fituar titullin botëror në Formulën 1 për vitin 2014. Piloti britanik i Mercedesit ka arritur të lërë pas të gjithë edhe në garën e fundit sezonale, Cmimin e Madh të Abu Dabit, duke triumfuar për të njëmbëdhjetën herë këtë sezon.
Nico Rosberg, i vetmi që mund t’i merrte titullin në garën e fundit, pati shumë probleme në njëvendëshen e tij dhe preu finishin në vendin e 14, edhe pse u nis nga “pole position”.
Hamiltonit i mjaftonte një vend i dytë për t’u shpallur kampion, por britaniku që në nisje u shfaq agresiv duke marrë vendin e parë e duke u shkëputur i vetëm në krye.
Vendi i dytë dhe i tretë për pilotët e skuderisë Williams: Felipe Massa dhe Valteri Bottas.
Hamilton grumbulloi 384 pikë në kampionatin e pilotëve, ndërsa Rosberg 317 pikë, me çka britaniku fitoi titullin e dytë të kampionit të botës, të parin pas një pauze prej gjashtë vitesh, ndërsa Mercedesi ishte bindshëm më I miri edhe në konkurencën ekipore, duke fituar titullin me 701 pikë të përbashkëta, apo 296 më shumë se Red Bull, që u ndal në vendin e dytë.
