Botë

Covid-19, në Evropë vala e tretë tani më ka nisur

22.03.2021 16:07

E gjithë Evropa po përballet me një situatë të vështirë të valës së tretë të pandemisë.

E gjithë Evropa po përballet me një situatë të vështirë të valës së tretë të pandemisë. Në 24-orët e fundit, Polonia zuri vendin e dytë në renditjen evropiane për infektimet ditore me COVID-19 me mbi 26 mijë raste. Shifra të larta edhe në Francë, ku po ashtu rajonet më të populluara përfshirë Parisin, po aplikojnë kufizime të ashpra të lëvizjes së qytetarëve. Nivele të larta infektimesh edhe në Greqi, ku ezaurimi i plotë i terapisë intensive detyroi qeverinë t’u kërkojë ndihmë spitaleve private me shtretër.
 
Deri më tani 60 mjekë vullnetarë u janë përgjigjur thirrjes për ndihmë nga qeveria teksa nevojiten minimalisht 200. Ndërsa Autoritetet gjermane thanë se Polonia fqinje tani klasifikohet si një zonë “me rrezik të lartë” për COVID-19, ndërsa ai vend shtoi kontrollet kufitare. Nga e hëna kushdo që futet në Gjermani nga Polonia duhet të tregojë përgjigjen e testit negativ për koronavirusin. Nivelin më të lartë të infektimeve ditore në botë vijon ta ketë Brazili me mbi 80 mijë raste, ku numri i vdekjeve vijon të jetë mbi 2 mijë në ditë. Ndërkohë SHBA-të ka  konfirmuar se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe shumë efektive.
 
ShBA: Astra-Zeneca, e sigurt dhe efektive
 
Mbi 32,000 vullnetarë kanë marrë pjesë në testimin që ka bërë SHBA-ja, shumica e tyre në Amerikë, por edhe në Kili dhe Peru. Rezultatet tregojnë se AstraZeneca është 79 për qind efektive kundër sëmundjes simptomatike nga koronavirusi dhe 100 për qind efektive në parandalimin e njerëzve nga të sëmurët rëndë. Rezultatet u publikuan nga kompania britanike/suedeze AstraZeneca, e cila ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Ato pritet t’i inkurajojnë disa vende të BE-s; të cilat kanë pezulluar përdorimin e AstraZeneca-s, pas disa raporteve se vaksina shkakton mpiksje gjaku.
 
Pas një rishikimi edhe Agjencia Evropiane e Barnave dhe OBSH kanë  konfir muar javën e kaluar se vaksina është e sigurt dhe efektive. AstraZeneca nuk është autorizuar ende për përdorim në SHBA dhe mund të mos nevojitet. Në SHBA aktualisht përdoren tri vaksina kundër koronavirusit: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson. Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Barnave do të dërgojë një ekip ekspertësh në Rusi muajin e ardhshëm për të shqyrtuar provat klinike dhe prodhimin e vaksinës ruse "Sputnik V". 
 
REJHANE BUSHI METAJ