17 shtëpi botuese dhe shoqata: Stefkovska po diskriminon kulturën shqiptare

22.03.2021 18:18

17 shtëpi botuese dhe shoqata kulturore....

17 shtëpi botuese dhe shoqata kulturore e artistike joqeveritare të Tetovës kanë akuzuar ministren e Kulturës, Irena Stefoska, që pa të drejtë dhe fakte ua ka anulua projektet e tyre edhe përkundër se të njëjtat i kanë pasur dokumentacionet e rregulluara. Ata dyshojnë se nga Ministria e Kulturës janë larguar dokumente me qëllim që përfitues më të mëdhenj të jenë entiteti tjetër e jo shqiptarët. Sipas tyre, është kthyer agjenda e viteve 80, ku çdo gjë ishte kundër shqiptarëve.

“Me keqardhje konstatojmë se këtë vit, agjenda e viteve 80 të shekullit të kaluar, të qarqeve mizore anti shqiptare, është rikthyer në formën e saj më përshtruese dhe duke vepruar përmes institucionit shtetëror, të Ministrisë së Kulturës ka filluar misionin praktik, duke marrë nga hisja jonë e duke e bartur në shportën e vetë të pangopur. Kultura shqiptare është dëmtuar me 110 milion denarë, pra 1 milion e 600 mijë denarë. Duke mos i shqyrtuar projektet e dorëzuara, me pretekst se ju mungon një apo më tepër dokumente të cilat në fakt janë dorëzuar, por janë zhdukur qëllimisht.”,- u shpreh Zinep Rexhepi nga Nisma e 17 shoqatave Kulturore Artistike të Tetovës.

Ndërkohë, zëvendësministri Sedat Sulejmani përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se e përkrah çdo iniciativë të artistëve dhe shoqatave shqiptare dhe pyet publikisht ministren se kush janë ekspertët shqiptarë që, sipas saj, është konsultuar.

“Unë kam qenë dhe jam në anën e institucioneve dhe artistëve shqiptarë, njëkohësisht përkrah çdo iniciativë të artistëve shqiptarë, shoqërive kulturore apo shtëpive botuese. Edhe në prononcimin publik, ministrja tha se është konsultuar me ekspertë shqiptarë për programin. Tani, kush janë ata ekspertë shqiptarë për të cilët flet ministrja, le të dalin dhe të tregojnë nëse janë të kënaqur me përqindjen që iu është ndarë institucioneve apo artistëve shqiptarë. Ajo që mund të them tani është se për momentin jemi në bisedime me ministren për rishqyrtim të procesit.”,- tha zëvendësministri, Sedat Sulejmani.

Nisma e 17 shoqatave dhe shtëpive botuese nga Tetova kërkojnë nga qeveria që të shkarkohet ministrja, Irena Stefovska, për punën joprofesionale që ka bërë në këtë ministri. (Visar Sadiki, TVM2)