Kërcënimet ndaj jetës së gazetarëve, ShGM: MPB dhe PTHP të reagojnë me shpejtësi

22.03.2021 18:28

Shoqata e Gazetarëve reagon ashpër....

Shoqata e Gazetarëve reagon ashpër ndaj kërcënimeve publike për jetën si dhe fyerjet e shprehura në profilin në mediat sociale, që mban emrin e Arben Esatit dhe u bën thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë që të veprojmë menjëherë, në mënyrë që asnjë gazetar të mos ndjehet i rrezikuar.

Reagimi vjen pas kërcënimeve të rënda në profilin e apostrofuar në Facebook, ndaj disa mediave të shkruara dhe elektronike, që përveç tekstit kërcënues, u ndoqën edhe me fjalë vulgare ndaj gazetarëve të cilët Esati i kërcënon publikisht se do tua marrë jetën, madje bën edhe  kërcënime për përdhunim.

Reagimet kërcënuese të tij erdhën pas publikimit në këto media të një lajmi të marrë nga mediat serbe në lidhje me babanë e tij, që shkaktoi reagime në rrjetet sociale. Nga SHGM potencojnë se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet për jetën, janë krime të parashikuara në Kodin Penal dhe MPB e Prokuroria duhet të hetojnë dhe ta ndjekin penalisht urgjent këtë rast, për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin dhe për të parandaluar veprimet e mundshme të shkaktuara nga urrejtja. SHGM kërkoi nga MPB dhe SPB - Tetovë, masa urgjente ndaj personit Arben Esati.

MPB informoi se po marrin masa për zbardhjen e çështjes sa më shpejt të jetë e mundur.

“Siguria e gazetarëve dhe e drejta e fjalës së lirë janë tiparet themelore të një vendi që aspiron të jetë demokratik. Prandaj, kërcënimet e qarta për jetën e gazetarëve dhe anëtarëve të ngushtë të familjes duhet të sanksionohen në mënyrë që gazetarët të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të sigurt”,- thuhet në reagimin e SHGM-së.