Botë
Zyrtarët e lartë të BE-së: Dialogu me Beogradin, çështje kyçe për Kosovën
23.03.2021 13:26
Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës...

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.
“Presim që të punojmë së bashku për të sjellë një përfundim të suksesshëm të dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane. BE-ja mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, ka shkruar në Tuitter, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, rikujtuar se dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe. Në të njejtën linjë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, I cili në urimin e tij për formimin e qeverisë së Kosovës ka përsëritur gatishmërinë e BE-së për të vazhduar lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd.
BE-ja pret edhe që qeveria e re e Kosovës të vazhdojë procesin e reformave, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Po ashtu BE pret që të vazhdohet edhe përpjekja për të ngadalësuar përhapjen e virusit COVID-19. Në këtë drejtim nga Unioni disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën, por kjo ndihmë, deri më tani, nuk ka përfshirë edhe dhënien e një sasie të dozave të vaksinave, siç BE kishte premtuar.
