Maqedoni

Pakoja ekonomike peng i paralizës në Kuvend, Kostadinov: Opozita shpërdor situatën

23.03.2021 15:52

Shumica parlamentare akuzon opozitën për bllokim të punëve të Kuvendit në periudhë epidemie...

Shumica parlamentare akuzon opozitën për bllokim të punëve të Kuvendit në periudhë epidemie. Sipas LSDM-së në pushtet, opozita në tërësi, keqpërdor situatën dhe shëndetësore të deputetëve të shumicës dhe po pengon miratimin e pakos së pestë të masave ekonomike si dhe dhjetëra ligje të tjera me interes për  qytetarët dhe shtetin. 
 
“E gjithë opozita në Kuvend, bën çdo gjë që të bllokojë të gjitha proceset e rëndësishme për qytetarët dhe shtetin.  VMRO DPMNE, Aleanca dhe E Majta, janë në anën e kundërt të interesave të qytetarëve që u kanë dhënë besimin. Ligji për shtetësi është i bllokuar nga VMRO DPMNE dhe E Majta. Në marrëveshje me VMRO DPMNE-në dhe të Majtën, Aleanca opozitare i bllokon të gjitha zgjidhjet ligjore të tashme dhe të ardhshme. Ne nuk mund t’i ulim bashkë dhe të bëhemi ndërmjetësues për problemin e tyre të koalicionit.”, tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.
 
Rexhepi: S’tërhiqemi pa zgjidhje për shtetësinë 
 
Opozita shqiptare deri tani ka dorëzuar mbi 30 mijë amendamente për 20 propozim-ligje në sfera të ndryshme. Paralajmërojnë edhe 30 mijë amendamente të tjera nëse sëbashku me pushtetin nuk gjejnë zgjidhje për pr/Ligjin për shtetësi. 
 
“Nuk jemi krenarë me faktin që dorëzojmë amendamente për propozim ligje të cilat i tangojnë qytetarët por, po, jemi krenarë për faktin që po mundohemi të bëhemi zëri i një kategorie qytetarësh, të cilët janë lënë anësh nga çdo kujdes institucional.", tha Skënder Rexhepi nga ASH-Alternativa.
 
Arsovski: Mund ta votonin, kur votëbesuan Qeverinë   
 
Edhe VMRO DPMNE mohon akuzat për bllokim të punës së Kuvendit dhe miratimin e masave ekonomike anti-krizë. Konsiderojnë se, edhe ashtu, nuk ka para në buxhet për zbatimin e masave.   
 
“Vetëm mundem të theksoj se: Pushteti, përkatësisht Qeveria dhe Zaevi, po të deshte të miratojë pakoja e pestë masave dhe t’i ndihmohet ekonomisë këtë mund ta bënin ditën kur u votua besimi i Qeverisë së Zoran Zaevit.”, tha Dimçe Arsovski nga VMRO DPMNE.
 
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi anuloi seancën e paraparë për më 23 mars, ku në rend dite ishte Pakoja e pestë e masave ekonomike, pasi tre prej 62 deputetëve të shumicës janë diagnostikuar me COVID-19, që e bën të pamundur kuorumin dhe miratimin e pakos, por edhe për faktin që opozita ka dorëzuar qindra amendamente edhe për këtë pr/ligj.
 
SHPËTIM NUREDINI