Botë
Kosovë, 22 vjetori i bombardimeve të NATO-s
24.03.2021 10:27
Kosova sot përkujton 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve nga ana e NATO-s kundër caqeve...

Kosova sot përkujton 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve nga ana e NATO-s kundër caqeve serbe dhe me këtë pas 78 ditëve bombardime, mori fund dhe fushata e spastrimit etnik që bënte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Bombardimet kanë pasuar disa përpjekje për të siguruar një marrëveshje paqësore, e cila është refuzuar nga Serbia.
Misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë, ka thënë atëbotë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton. Bombardimet nga ajri kundër caqeve të ushtrisë jugosllave kanë zgjatur 78 ditë. Në terren, forcat serbe kanë kryer sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve, të cilat kanë rezultuar me mbi 10 mijë njerëz të vrarë, mbi 800 mijë të përndjekur dhe rreth 5 mijë të zhdukur.
Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja ka nënshkruar marrëveshje me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova. Dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë hyrë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe sundimit të Beogradit.
