Maqedoni

Bllokimi i Kuvendit, Zaev: Do të shqyrtojmë mundësitë e debllokimit

24.03.2021 15:27

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, ka deklaruar se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë..

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, ka deklaruar se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për ta vënë në funksion Kuvendin, së paku për miratimin e ligjeve më të rëndësishme.
 
“Të bllokohen Ligjet që nënkuptojnë jetë, dhe ndihmë për pasojat nga pandemia, vërtet është e pakuptueshme. Besoj se do të ketë mirëkuptim. Të enjten janë pyetjet e deputetëve, unë do të mbaj një mbledhje me kreun e kuvendit, sigurisht edhe me kreun e BDI-së që të shqyrtojmë mundësitë që kemi në dispozicion që të zhbllokojmë Kuvendin. Të gjitha opsionet janë në dispozicion, nga takimi i liderëve, gjetja e zgjidhjes midis koordinatorëve të grupeve parlamentare, gjendja e jashtëzakonshme, vetëm  që t’i lirojmë institucionet.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Mickovski: Ofrojmë kuorum për 4 ligjet nëse vendosen nesër
 
Ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se deputetët e partisë së tij janë të gatshëm të krijojnë kuorum në Kuvend për katër ligje që lidhen me krizën, në rast se vendosen në rend dite nesër që sipas tij nuk lënë hapësirë për justifikime se kush punon për interesat e qytetarëve. 
 
“I kërkoj Kuvendit në seancën e nesërme ku parashikohen pyetje deputetësh, para saj të caktohet seancë me katër ligjet që janë me interes për qytetarët, ekonominë dhe që lidhen me situatën e krizës, ose më saktë: Vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës për shkak të virusit korona dhe ndryshimet në ligjin për mbështetje financiare të punëdhënësve, mbështetje financiare për personat fizik që janë të vetëpunësuar dhe janë goditur nga kriza dhe ndryshimet në ligjin për tatimin e të ardhurave personale”, thotë Mickoski. 
 
E kryeministri Zaev tha se gjithçka që është në interes të qytetarëve për të është e pranueshme ndërkohë që u zotua se do të diskutojë edhe për kërkesën e opozitës shqiptare që ka të bëjë me miratimin e ligjit për shtetësi.
 
“Opozita e tregoi arsyen e bllokimit, opozita shqiptare e ka për ligjin për shtetësi, të gjithë jemi për ligjin edhe opozita maqedonase edhe pozita maqedonase edhe shqiptarët. Duhet të  gjejmë mekanizmat sipas standardeve evropiane.”,- theksoi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
                                                                                                                             
ASH-AAA kanë parashtruar mijëra amendamente si kundërpërgjigje për mosmbështetjen e Ligjit për Shtetësi të cilin e kanë dorëzuar në Kuvend, duke ftuar partitë tjera politike që të harmonizojnë qëndrimet rreth këtij propozim-ligji.
 
NAIM RAMADANI