Botë
Covid-19, Evropa regjistron rekord infektimesh
24.03.2021 16:33
Polonia, Ukraina dhe Bullgaria kanë raportuar shifra rekorde të personave të infektuar dhe të vdekur me Kovid-19...
Polonia, Ukraina dhe Bullgaria kanë raportuar shifra rekorde të personave të infektuar dhe të vdekur me Kovid-19, derisa shumë shtete evropiane po përballen me valë të re të virusit, duke detyruar sërish të kthehen masat e izolimit. Mungesa e vaksinave të mjaftueshme kundër virusit po i kontribuon po ashtu përkeqësimit. Ukraina, shteti më i madh i Evropës Lindore, ka raportuar, 342 të vdekur. Bullgaria, në anën tjetër, ka regjistruar 4,851 të infektuar. Në Evropën Qendrore, Polonia ka regjistruar 29,978 të infektuar me Kovid-19 në 24 orët e fundit.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel ka përmbysur një vendim për masa më të ashpra kundër Kovid-19 në kohën e Festës së Pashkëve, pas kritikave të ashpra. Tërheqja e vendimit ka ardhur disa orë pasi janë bërë të ditura kufizimet, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian pritet të propozojë rregulla të reja, që potencialisht mund të bllokojnë eksportin e vaksinave kundër virusit korona në Britani dhe shtete tjera, pas mungesave të dozave të mjaftueshme brenda vetë BE-së.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve analizon vaksinën ruse “Sputnik V”
Sa i përket vaksinave tjera, Drejtorja ekzekutive e Agjencisë Evropiane të Barnave, tha se enti rregullator evropian po analizon vaksinën ruse “Sputnik V” për autorizimin e mundshëm për përdorim në Bashkimin Evropian.
“Vaksina u pa me mosbesim nga disa vende ndërsa Rusia filloi ta shpërndante atë në disa vende evropiane para se të vlerësohej nga agjencitë rregullatore – përfshirë EMA-n dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Shpresa ishte që të përcaktohej se ajo ishte “një vaksinë e vlefshme për t’iu shtuar vaksinave që janë në dispozicion për popullatën evropiane.”,- tha drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke.
Ajo gjithashtu mirëpriti të dhënat e reja mbi vaksinën “AstraZeneca” të vëna në dispozicion nga një analizë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se është një informacion shumë premtues dhe tregon efikasitet më të lartë nga sa pritej.
ZEKIRJA MEXHITI
