Maqedoni
Berisha: Qytetari mund të kërkojë regjistrues shqiptar. Berisha: Regjistruesit do t’ju kërkojnë tre herë
24.03.2021 17:47
Nëse dikush mbetet i paregjistruar në diasporë, apo nuk është i sigurt se vetëregjistrimi është kryer me sukses...

Nëse dikush mbetet i paregjistruar në diasporë, apo nuk është i sigurt se vetëregjistrimi është kryer me sukses, nga 1 prilli kur fillon regjistrimi në vend, ai mund të regjistrohet edhe në vendlindje, thotë Bekim Berisha nga Enti Shtetëror i Statistikës.
Berisha, për TVM2 thotë se personat që kanë dilema mund t’i dërgojnë numrat amë te familjarët që ata t’i regjistrojnë. Ai njëherit sqaron se nëse gjatë kohës së regjistrimit ekipi regjistrues nuk e njeh gjuhën shqipe, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë regjistrues që e flet gjuhën e tyre amtare.
“Çdo qytetar ka të drejtë të regjistrohet në gjuhën e tij amtare. Nëse regjistruesi është i përkatësisë etnike shqiptare dhe nuk din të flasë gjuhën maqedonase nëse hyn në familje maqedonase, ajo familje ka të drejtë të kërkojë regjistrues maqedonas dhe anasjelltas te familjet shqiptare të kërkojë regjistrues shqiptar. Prandaj ne kemi regjistrues rezervë që do të qëndrojnë në bazë dhe ata do të aktivizohen vetëm nëse paraqitet nevoja.”,- tha përfaqësuesi i Entit Statistikor, Bekim Berisha.
Berisha thotë se regjistruesit janë të obliguar që tre herë të shkojë tek një shtëpi, e më pas ai lë njoftim me shkrim te dera me numër telefoni, ku qytetari duhet të kontaktojë regjistruesit për të caktuar takimin për regjistrim.
“Regjistruesi është i obliguar deri në tre herë të shkojë në çdo shtëpi nëse nuk e mbaron punën me herën e parë. Regjistruesi do të vijë do të trokasë në derë, do ta shohë që nuk ka askush, do ta lejë një letër me njoftim, me emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, ju lutem paraqituni në këtë telefon ma tregoni kohën kur jeni të lirë.”,- theksoi përfaqësuesi i Entit Statistikor, Bekim Berisha.
Berisha bëri të ditur se ka filluar trajnimi i instruktorëve rajonal dhe më pas do të vazhdohet me trajnimin dyditorë të regjistruesve.
SANIJE DURAKU
