Maqedoni

Veles, promovohen automjete ekologjike për pastrim

24.03.2021 18:13

Dy automjete ekologjike për mirëmbajtjen e higjienës në mjediset urbane që funksionojnë me hidrogjen...

Dy automjete ekologjike për mirëmbajtjen e higjienës në mjediset urbane që funksionojnë me hidrogjen, u promovuan nga Kompania “Brako” në Veles.
 
Koço Angjushev, pronar dhe kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë, tha se e ardhmja e industrisë vendore është tek prodhimet që kanë të aplikuar teknologjinë më të fundit bashkëkohore.
 
Në konceptin dhe modelimin e këtyre automjeteve ekologjike të pastrimit që lëshojnë vetëm ujë dhe jo gazra të dëmshëm kanë punuar 60 inxhinierë të moshës mesatare nën 30 vjeç. 
 
"Bëhet fjalë për një automjet të parë me hidrogjen në botë, një automjet me hidrogjen i destinuar për pastrimin e rrugëve. Për të prodhuar produkte të tilla të orientuara drejt eksportit që mund të shiten në të gjithë botën, është e nevojshme që kompanitë të kenë nivelin më të lartë të teknologjisë dhe të kenë një marketing agresiv. Pikërisht këtë ne po e aplikojmë për 20 vite në “Brako” dhe këto automjete janë rezultat i këtij parimi të funksionimit.”,- tha pronari, Koço Angjushev.
 
Në kohën e sfidave të mëdha ekonomike investimet në burime njerëzore dhe ato makinerike ndihmojnë edhe në rritjen e produktivitetit, theksoi kryeministri Zaev.
 
"Këto kohë të sfidave ekonomike për shumë kompani nënkuptojnë edhe inovacione më të madhe dhe përshtatje ndaj trendeve të reja. Investimet në burimet njerëzore dhe makinerike padyshim kontribuojnë në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë, e cila në fund rezulton në një konkurrueshmëri dhe plasman më të mirë të produktit.",- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Në investimin e promovuar prej 8 milionësh euro, morën pjesë edhe Zëvendës Kryeministrat, Fatmir Bityqi, Ljupço Nikollovski, si dhe ministrat, Kreshnik Bekteshi dhe ai i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
 
ZEKIRJA MEXHITI