Botë

Osmani takoi Abdixhikun, konsultime që Osmani të zgjidhet presidente. Kurti: Vjosa Osmani do të zgjidhet presidente

24.03.2021 18:39

Nuk është arritur marrëveshje përfundimtare që LDK të mbështetë zgjidhjen e Vjosa Osmanit presidente e LDK-së...

Nuk është arritur marrëveshje përfundimtare që LDK të mbështetë zgjidhjen e Vjosa Osmanit presidente e LDK-së, por takimin me pretendenten për këtë post, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quan pozitiv dhe konstruktiv. Abdixhiku thotë se ka nevojë për kohë për konsultime brenda-partiake.
 
“Duke respektuar afatet kushtetuese do t’i përcaktojmë edhe hapat e ardhshëm, meqenëse zgjedhja e presidentit duhet të ndodh brenda afatit të shkurtër kohor, pa rrezikuar funksionimin e institucioneve të vendit. S’mund të ketë qëndrime individuale, LDK vendimet i merr në organet më të larta dhe më pas këto vendime i komunikohen grupit parlamentar gjithmonë në konsultim me ta, synojmë të jemi unik dhe që vendimet e shumicës në LDK të jenë vendime për të gjithë.”,- tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
Kryeministri, Albin Kurti, është optimist se Vjosa Osmani do të jetë presidente e re Kosovës. 
 
“Sigurt atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e kuvendit të republikës.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Aktualisht Kosova ka ushtrues detyre të presidentit kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ri që në votimin e parë nevojiten 80 vota të deputetëve, ndërsa në votimin e tretë nevojiten 61 vota, por në sallë duhet të ketë të pranishëm 80 deputetë.  
 
GYLTENE SINANI