Maqedoni
Kërçovë, akademi solemne, 40 pranverat shqiptare 1981 – 2021
25.03.2021 10:10
Mbrëmë unioni i shoqatave kërçovare, shënoi lavdinë e pranverave shqiptare....

Mbrëmë unioni i shoqatave kërçovare, shënoi lavdinë e pranverave shqiptare. Me një akademi solemne, u përkujtua 24 Marsi, një datë e rëndësishme për shqiptarët, meqë shënon jo vetëm fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s për çlirimin e Kosovës, por edhe fitoren historike të shqiptarëve që morën drejtimin e komunës në vitin 2013.
Për ngjarjet e pranverave shqiptare folën Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqipëtarëve, Berat Lluzha nga shoqata e të burgosurve politikë të Kosovës dhe konzulli i Kosovës në vendin tonë, Agim Krasniqi. Kreu i komunës Fatmir Dehari u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan për këtë fitore historike, e në veçanti mërgatës shqiptare të Kërçovës.
Kryetari i BDI-së Ali Ali Ahmetit, në fjalimin e tij përkujtoi sakrificat e të gjithë veprimtarëve që luftuan për çështjen shqiptare dhe sfidat e reja përpara për të përmbyllur temat e mëdha që frymëzuan këta veprimtarë dhe që janë ende ideal kombëtar.
"Përpjekjet e para i kemi bërë që shqiptarët t’i bashkojmë, por gjërat ndryshuan dhe ne duhej të përcaktohemi nga rjedhat e lëvizjet globale. Bota ishte përcaktuar për ndryshime dhe reforma. U përcaktuam që Kosova të fitojë lirinë barazinë dhe mëvetësinë, u përcaktuam që shqiparët në RMV të ndryshojnë statusin politik dhe juridik e të mos jenë qiraxhinj në shtëpi të vet po zot në shtëpi të vet.", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Me këtë rast, në hapësirat e bibliotekës së qytetit, u promovua Këndi i arkivit shtetëror të Shqipërisë, që mundëson qasje të drejtpërdrejtë në materialet arkivore të Tiranës, për studentët dhe hulumtuesit shkencor të këtyre trevave. Komuna e Kërçovës u ndau mirënjohje kreut të BDI-së, shoqatave që veprojnë në diasporë dhe drejtorit të Arkivit shtetëror të Shqipërisë, Ardit Bido.
SHABAN DALIPI
