Maqedoni

QMBI me apel: Regjistrohu, ti nuk je thjeshtë vetëm numër!

25.03.2021 12:25

Për një vend që ka aspirata të integrimit në BE dhe i cili është shtet i posa inkuadruar në NATO

Për një vend që ka aspirata të integrimit në BE dhe i cili është shtet i posa inkuadruar në NATO, është e pafalshme të mos ketë të realizuar regjistrim të popullsisë gati në njëzet vitet e fundit. Sivjet më në fund ky akull po thyhet dhe është paralajmëruar regjistrimi i popullsisë në periudhën prej 1 prilli deri më 21 prill. Vlen të përmendet se regjistrimi do të bëhet edhe për qytetarët dhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit, respektivisht në diasporë. Ky regjistrim tashmë ka filluar dhe po realizohet online që nga 1 marsi dhe do të zgjasë deri më 21 prill. 
 
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional bën thirrje që në mënyrë sa më të saktë dhe të përgjegjshme t’i përgjigjemi këtij regjistrimi të popullsisë, ndërsa ky apel vlen sidomos për diasporën shqiptare, që të mundohet në maksimumin e saj të bëhet pjesë e këtij regjistrimi, duke pasur shumë kujdes për format e drejta dhe të sakta teknike të regjistrimit. 
 
Në këtë formë, ata kontribuojnë në numrin e saktë dhe të vërtetë të shqiptarëve në këtë vend, gjë që nuk paraqet vetëm numër të thjeshtë, por po ashtu dëshmon përkushtimin dhe lidhjen e tyre me vendin prej nga kanë prejardhjen. 
 
Gjithashtu, nga thirrjet tona si Qendër për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional është që i gjithë procesi të kalojë në mënyrë sa më të mirë dhe të zhvillohet një regjistrim i drejtë, i saktë, preciz, pa shkelje dhe devijime, që në rast eventual do ta bënin të pamundur një fotografi të vërtetë demografike, kur një gjë e tillë është më shumë se e nevojshme, e sidomos në një vend me shumë bashkësi etnike siç është Maqedonia e Veriut, thuhet në apelin e Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional