Strugë, pandemia rrit numrin e personave në gjendje të rëndë sociale
Numri i qytetarëve në gjendje të rënduar sociale në Strugë....

Numri i qytetarëve në gjendje të rënduar sociale në Strugë po rritet. Momentalisht, në qendrën për çështje sociale janë evidentuar rreth 400 qytetarë nga komuna e Strugës dhe Vevçanit, të cilët janë në gjendje të pafavorshme sociale.
Në krahasim me vitet e kaluara, pandemia ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e varfërisë dhe arsyeja është sepse një pjesë e qytetarëve kanë mbetur pa të ardhura themelore të jetesës.
“Numri i familjeve në gjendje të pafavorshme sociale, për shkak se është një numër i ndryshueshëm, është rreth 400 përdorues. Krahasuar me vitet e mëparshme në 2020 dhe 2021, ne kemi një rritje të lehtë të përdoruesve, e cila është kryesisht për shkak të situatës, dmth pandemisë Covid 19 " – tha Mevmed Halili – drejtor i qendrës për çështje sociale Strugë.
Edhe numri i lypësve në qytet është rritur. Në tre muajt e fundit, policia ka gjetur dhe ka gjobitur 10 persona që lypnin, përfshirë edhe të mitur.
“Nga fillimi i vitit deri më sot, dhjetë kontrolle janë kryer në zonën e Strugës dhe dhjetë persona janë gjetur duke lypur në zonën qendrore të qytetit. Gjatë vitit të kaluar, u realizuan 28 kontrolle veprimi dhe 30 njerëz u gjetën duke lypur. Shumë prej lypësve janë edhe nga qytete të tjera.” – u shpreh Stefan Dimovski – zëdhënës i SPB Ohër.
Në Strugë ka lypës nga qytete të tjera të cilët qëndrojnë në aprtamente private pa u regjistruar në mënyrë ligjore, ku në një dhomë janë vendosur edhe 10 persona. Akuza për një kundërvajtje të tillë janë dhënë për pesë pronarë apartamentesh nga Struga.
Ndërsa gjoba për personat që gjenden duke lypur është nga 15 deri në 50 euro. (Ilmije Zhaku, TVM2)
