Kulturë
IN MEMORIAM Ndërroi jetë nga Covid-19 aktori Rasim Thaçi-Cima
26.03.2021 12:53
Aktori shqiptar, Rasim Thaçi – Cima ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare....

Aktori shqiptar, Rasim Thaçi – Cima, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare. Ai për disa javë ka qenë i shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë për shkak të infektimit me Covid-19, të cilit nuk arriti t’i mbijetojë.
Rasim Thaçi – Cima lindi më 12 korrik të vitit 1949 në fshatin Vukovc. Ai ka përfunduar shkollën e mesme në Prishtinë – dega ndërtimtari. Rasim Thaçi ka qenë edhe futbollist dhe e ka kryer edhe Fakultetin e Kulturës Fizike. Në vitet 1980-1998 ai ka qenë mësimdhënës derisa njëkohësisht zhvillonte karrierë prej futbollisti. Në këtë kohë nisi edhe karrierën prej humoristi në Radio-televizonin e Prishtinës.
Postimi i fundit i tij ishte kërkesa që të respektohen masat nga qytetarët.
“Po lajmërohem pas një jave të vështirë! Një javë më parë ju lajmërova për gjendjen time që ishte duke u përmirësuar, mirpo të nesërmen deri vonë natën mu keqsua gjendja, ku edhe u detyruan që nga klinika infektive të më dërgojnë në repartin intenziv, ku vazhdoj të jem edhe më tej. Gjendja ime është ende e rëndë, por stabile, jam në përkujdesjen e doktorëve dhe infermierëve 24h si unë po ashtu edhe për të gjithë pacientët e tjerë, ku nuk mungon vullneti dhe shpirti i tyre luftarak, për ne që po përballemi me këtë betejë aspak të lehtë e në luftë sy më sy. I lutem Zotit, së pari për shëndetin e të gjithë pacientëve e po ashtu edhe të doktorëve me stafin e tyre që po rrezikojnë për ne, e të dalim faqe bardhë nga kjo situatë. Po ashtu ju falenderoj nga zemra të gjithë ju që po interesoheni për gjendjen time vazhdimisht, shpresoj herën tjetër të jem edhe në gjendje më të mirë.Ju lutem respektoni masat sa më shumë”, shkruante Thaçi në postimin e tij.
