Botë
KE i kërkon AstraZeneca-s fillimisht të përmbush detyrimet ndaj BE-së
26.03.2021 15:01
AstraZeneca nuk mund të eksportojë vaksina jashtë Evropës deri në përmbushjen e marrëveshjeve me BE-në..

AstraZeneca nuk mund të eksportojë vaksina jashtë Evropës deri në përmbushjen e marrëveshjeve me BE-në, ka deklaruar kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo këto komente i bëri derisa liderët e BE-së po diskutonin për distribuimin e vaksinave anti Kovid.
“Mendoj se AstraZeneca e ka të qartë se patjetër duhet ta respektojë marrëveshjen me vendet anëtare para se të fillojë të eksportojë vaksina. Atë që dëshirojmë është transparenca dhe po krijojmë transparencë të eksportit, me çka mund të krenohemi. BE-ja është një nga rajonet më të hapura kur bëhet fjalë për vaksinat, dhe produktet farmaceutike. Elementi tjetër që e bisedojmë me kompanitë është që ato ta mbajnë proporcionalitetin dhe reciprocitetin si parim.”,- tha kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Ajo njëherit theksoi se BE ka lejuar eksportin e 77 milion vaksinave, prandaj nuk duhet akuzuar për nacionalizim të vaksinave anti kovid.
“Me padurim e presim kuartalin e dytë, do të jetë Biontek, Moderna të cilat do të sjellin me siguri vaksina sipas marrëveshjes. Presim ti rrisin dërgesat siç jemi marrë vesh në kuartalin e dytë për sasi shtesë. AstraZeneca është obliguar për 17 milion doza në vend të 180 milion dozat sipas marrëveshjes paraprake.”,- u shpreh kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Mediat britanike kanë publikuar një artikull ku raportojnë disa të dhëna, se kompania AstraZeneca sakrifikoi 29 miliardë dollarë duke e shitur vaksinën e saj kundër koronavirusit pa përfitim. Kompania britanike është zotuar të prodhojë 3 miliardë doza të vaksinës të zhvilluar me Universitetin e Oksfordit për një çmim mesatar prej vetëm 5 dollarësh për dozë që konsiderohet minimumi i nevojshëm për të mbuluar kostot. Por një nga shkencëtarët e ekipit që e ka prodhuar vaksinën nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e rritjes së çmimit të vaksinës, përkatësisht AstraZeneka të heq dorë nga vendimi paraprak që të mos përfitojë nga vaksinat.
Ndërkohë Pfizer ka nisur provat klinike për të testuar vaksinën e saj të fëmijët nga 6 muajsh deri në 11 vjeç, një hap vendimtar për të marrë autorizimin për përdorim urgjent dhe për të filluar vaksinimin e fëmijëve. Sipas një njoftimi nga Pfizer, pjesëmarrësit tashmë kanë marrë dozat e para të cilat u zhvilluan në partneritet me prodhuesin e ilaçeve gjermane BioNTech. Nga ana tjetër për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar shumë vende evropiane kanë shtrënguar masat.
Nga dita e martë për hyrje në Gjermani do të duhet të jeni të pajisur me test negative për virusin Korona pavarësisht nga cili shtet hyni. Ekspert shëndetësor gjerman nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të regjistrohen edhe deri në 100 mijë të infektuar në ditë. Edhe parlamenti Britanik I ka vazhduar masat e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Polonia njoftoi një ashpërsim të ri të izolimit te pjesshëm për luftimin e pandemisë pasi Ministria e shëndetësisë njoftoi për 34 mijë të infektuar në 24 orët e fundit. Shifra të larta të infektuarish janë regjistruar këtyre ditëve edhe në vendet ballkanike.
