Maqedoni

Zaev rreth takimit me Mickovskin: Do të diskutojmë për zhbllokimin e procedurave

26.03.2021 15:16

Regjistrimi, modeli zgjedhor, votimi me finger print, listat e hapura për zgjedhjet lokale...

Regjistrimi, modeli zgjedhor, votimi me finger print, listat e hapura për zgjedhjet lokale, debllokimi i Kuvendit, janë disa nga temat që do të hapen nga kryeministri, Zoran Zaev, në takimin me liderin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski. Zaev tha se e ka pranuar ftesën dhe pret që të diskutohen të gjitha çështjet që janë me rëndësi jetike për qytetarët dhe vendin. 
 
"Do të diskutojmë për zhbllokimin e të gjitha procedurave të bllokuara që sinjalizuan dje se mund t'i zgjidhim ato, siç u pranua menjëherë propozimi i opozitës nga kryetari i Kuvendit dhe shumica parlamentare, për t'i dhënë përparësi votimit të ligjeve që nënkuptojnë mbështetje, ndihmë dhe mbështetje për popullatën, për punëtorët, për kompanitë. Ndoshta duhet të jetë një inkurajim për ne që të gjejmë një zgjidhje për të gjitha projektet e tjera që janë bllokuar në Parlament.",- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Gashi: Zaev, prej kur ka filluar me takime njëetnike?
 
Zaev është optimist se të hënën do t’i njoftojnë qytetarët se me Mickoskin kanë arritur marrëveshje mbi përdorimin e skanerëve të gjurmëve të gishtave në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por, do të diskutohet edhe për listat e hapura dhe një njësi zgjedhore në zgjedhjet parlamentare. Për takimin mes dy liderëve maqedonas, Zaev – Mickoski, ka reaguar kreu i Alternativës, Afrim Gashi, i cili pyet kryeministrin se a ka hequr dorë nga thirrja për një shoqëri për të gjithë. 
 
“Zoran Zaev, prej kur ke filluar me takime njëetnike për çështje shtetërore? Çka do të thoshe po t'ia fusnim edhe ne një takim shqiptarësh?! Ku na shpie kjo? A hoqe dorë më prej thirrjes për "një shoqëri", apo atij slogani i ka munguar një fjalë - "një shoqëri maqedonase"?,- ka pyetur kreu i Alternativës, Afrim Gashi. 
 
Zaev rreth reagimit të Gashit: Ai është bashkëluftëtar i “një shoqëri për të gjithë”
 
Zaev tha Gashi është bashkëluftëtarë i tij për një shoqëri për të gjithë.
 
“Dua ta shoh deklaratën sepse ai është bashkëluftëtari im për një shoqëri për të gjithë, për qytetarë të barabartë, për të drejta dhe obligime të ngjashme. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev. 
 
Sa i përket takimit me Mickovskin, Zaevi tha se ka pranuar ftesën për takim me kryetarin e partisë më të madhe në opozitë. 
 
SANIJE DURAKU