Irani: E pamundur marrëveshja brenda 24 nëntorit

24.11.2014 12:53

Irani ka bërë të ditur se është thuajse e pamundur që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda afatit përfundimtar të 24 nëntorit me fuqitë botërore, marrëveshje që synon t’i japë fund përplasjeve prej disa dekadash në lidhje me ambiciet bërthamore të Teheranit......

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina nisën raundin përfundimtar të bisedimeve me Iranin gjatë së martës, në përpjekje për të siguruar një pakt, sipas të cilit Teherani do të kufizojë kërkimet dhe pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve të dëmshme ekonomike të vendosura ndaj tij. Irani refuzon akuzat e Perëndimit se po synon të zhvillojë kapacitetet për krijimin e një bombe bërthamore.

Ndërkohë, diplomatë iranianë dhe perëndimorë, që janë në negociata në Vjenë, thanë për “Reuters” se dy palët mbeten ende larg arritjes së një marrëveshjeje, kjo për shkak të disa çështjeve bazë, si kapaciteti i pasurimit të uraniumit dhe periudha e heqjes së sanksioneve. Zyrtari iranian është cituar të ketë thënë se “palët po përpiqen të arrijnë një akord kuadër mbi disa çështje të rëndësishme, si numri i centrifugave, kapaciteti i pasurimit dhe koha e heqjes së sanksioneve”.

Lavrov, kishte anuluar më herët takimet e tij të planifikuara për të hënën në Moskë, pasi fuqitë bërthamore dhe Irani vendosën ta zhvillonin raundin e fundit të bisedimeve në Vjenë.