Maqedoni
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk rekomandoi masa të reja
26.03.2021 15:40
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e sotme nuk rekomandoi masa të reja...

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e sotme nuk rekomandoi masa të reja, ndërsa mbledhja e radhës u caktua për të martën javën e ardhshme. Mbetet në fuqi ora policore prej orës 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Sipas autoriteteve shëndetësore, vendi është në mes të valës së tretë të virusit Korona, ndërsa ulje të shifrave të personave të infektuar priten javët në vijim.
Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë të cilët po mjekohen në repartet infektive në spitalet e vendit është 1.537, ndërsa të lirë janë edhe rreth 250 shtretër, informoi Ministria e Shëndetësisë. Vetëm në qendrat e Kovidit në Shkup gjatë 24 orëve të kaluara janë hospitalizuar 70 pacientë për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, me çka në repartet infektive në kryeqytet gjithsej po mjekohen 621 persona të dyshimtë dhe të konfirmuar me Kovid-19.
Filipçe: më 28 mars, në RMV 24 mijë vaksina AstraZeneca
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut do të ketë në dispozicion mbi 24 mijë vaksina AstraZeneca, ditën e diel. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se më 28 mars në Maqedoninë e Veriut do të ketë 24 mijë vaksina AstraZeneca, që do të sigurohen nga mekanizimi Covaks.
“Këtë javë, më 28 mars, në 07:55, dërgesa e parë e 24,000 vaksinave të AstraZeneca arrin në Shkup përmes sistemit Covax,”- ka shkruar ministri i shëndetësisë.
Aktualisht, në vend ka mbi 16 mijë raste aktive me Kovid-19, ndërsa ditëve të fundit numri i të infektuarve ka qenë mbi 1000 persona.
REJHANE BUSHI METAJ
