Regjistrimi i popullsisë, momentalisht s’ka shtyrje të regjistrimit, Simovski: Bojkoti zhyt shtetin në “baltë”
Nuk ka shtyrje të procesit të regjistrimit....

Nuk ka shtyrje të procesit të regjistrimit i cili do të nis më 1 prill, ka deklaruar kryetari I Entit të statistikës Apostoll Simovski. 5 ditë para nisjes së regjistrimit brenda territorit të vendit, Simovski edhe njëherë fton qytetarët që të regjistrohen dhe të mos bëhen pjesë e fushatave negative për mosregjistrim, pasi vendi mund të zhytet në baltë me pasoja jo vetëm shëndetësore por edhe ekonomike me varfëri të skajshme.
“Askush askujt nuk i ka thënë se regjistrimi do të shtyhet. E vërtetë është që sot nga regjistruesit është kërkuar që të presin informacion brenda ditës për marrjen e laptopëve, pasi që kemi një problem teknik që duhet të zgjidhet, por askush nuk ka thënë se regjistrimi është shtyrë. Pyetni subjektet ekonomike se deri ku mund të zhytemi pa të dhëna të regjistrimit, pyetni të gjithë investitorët e interesuar se eventualisht a do të mendojnë të investojnë në këtë shtet. Po sëmundja ka marrë hov të madh, por nëse bie edhe ekonomia, atëherë nuk do të mund as të ushqehemi.",- tha drejtori i Entit të Statistikës, Apostoll Simovski.
Sipas Simovskit nuk përjashtohet mundësia që regjistrimi të realizohet edhe në ambiente të hapura duke respektuar gjitha protokollet shëndetësore. Sipas tij, është e paktë mundësia që regjistruesit të vaksinohen me mbërritjen e vaksinave të dielën.
Zaev: Regjistruesit të vaksinohen, vendosim të hënën
Por kryeministri Zoran Zaev është optimist se regjistruesve mund t’u jepet përparësi për vaksinim.
“Ashtu siç është planifikuar të dielën të mbërrijnë vaksinat, ne do të mund në kohë para 1 prillit të vaksinojmë edhe regjistruesit. Pres që këtë ta thotë komisioni shëndetësor. Ky do të jetë një moment i rëndësishëm që edhe opozita të jep mbështetje. Mos të paragjykojmë, të hënën kemi mbledhje dhe do të tentojmë të gjejmë zgjidhje.",- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Milloshovski: Të shtyhet regjistrimi në shtator
Nga VMRO – DPMNE kritikojnë planifikimet e kryeministrit dhe kërkojnë të shtyhet regjistrimi në shtator, paraprakisht me ndryshime urgjente të ligjit për regjistrim.
“Deklarata e kryeministrit se do t’i japë përparësi regjistruesve tregon se sa për atë më me rëndësi është regjistrimi politikisht nga shëndeti i përgjithshëm i popullsisë. Sipas meje personeli mjekësorë, policët, të moshuarit dhe të sëmurët kronik do të duhet të kenë prioritet.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
Mbi 5 mijë regjistrues do ta realizojnë regjistrimin dhe 500 instruktorë në 50 rajone. Ndërkohë vazhdon vetregjistrimi i diasporës ku deri më tani janë vetregjistruar 148 mijë 719 qytetarë. (Meral Ismaili, TVM2)
